SHBA paralajmëron sërish/ Sanksione ndaj kompanive detare që paguajnë Iranin në Ngushticën e Hormuzit

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar kompanitë e transportit detar se mund të përballen me sanksione nëse paguajnë tarifa ndaj Iranit për kalim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.

Sipas autoriteteve amerikane, pagesat ndaj institucioneve iraniane janë të ndaluara për kompanitë amerikane, ndërsa edhe kompani të huaja mund të përballen me pasoja ligjore nëse përfshihen në këto transaksione.

Rreziku i sanksioneve, sipas tyre, përfshin jo vetëm pagesat në para, por edhe forma të tjera si kriptovalutat apo marrëveshjet jozyrtare.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë ndikuar në uljen e ndjeshme të trafikut detar, pasi shumë anije po shmangin këtë rrugë për shkak të pasigurisë.

Irani nga ana e tij ka deklaruar se tarifat vendosen për të garantuar kalim të sigurt të anijeve, ndërsa SHBA i konsideron këto veprime si mënyrë për të financuar aktivitetet e tij dhe për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.