Irani rikthen retorikën e luftës/ Komandanti i IRGC paralajmëron rifillimin e përplasjes me SHBA-në
Një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Islamike ka thënë se ekziston mundësia që konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të rifillojë, vetëm pak ditë pasi Teherani dorëzoi një draft-propozim për paqe përmes ndërmjetësimit të Pakistanit.
Zyrtari ushtarak, Mohammad Jafar Asadi, tha se sipas tij SHBA nuk i respekton marrëveshjet dhe se veprimet e fundit pas armëpushimit janë të pasinqerta dhe të lidhura me interesa ekonomike, përfshirë çmimet e naftës.
Ai shtoi se forcat iraniane ndodhen në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të mundshëm.
Situata vjen në një kohë tensionesh të larta diplomatike, ndërsa bisedimet e ndërmjetësuara në Pakistan nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump është shprehur i pakënaqur me ofertën e Iranit, duke thënë se ende nuk ka një marrëveshje të pranueshme dhe se situata mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme në udhëheqjen iraniane.
Ai ka përmendur gjithashtu dy mundësi për të ardhmen: arritjen e një marrëveshjeje ose përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, duke shtuar se preferon zgjidhjen përmes negociatave.

