Australia shënon progres historik/ Rastet e kancerit të qafës së mitrës përgjysmohen falë vaksinës HPV

Australia po afrohet me një objektiv të rëndësishëm në shëndetësi: të bëhet vendi i parë në botë që eliminon kancerin e qafës së mitrës si problem publik brenda vitit 2035, madje mund ta arrijë edhe më herët.

Ky rezultat lidhet me një strategji afatgjatë të shëndetit publik.

Që nga viti 2007, në vend është zbatuar një program kombëtar vaksinimi me vaksinën Gardasil, ndërsa nga viti 2013 vaksina u ofrohet edhe djemve.

Paralelisht, kontrolli mjekësor është përmirësuar duke kaluar nga testi Pap në testin më të saktë për HPV, që kryhet çdo pesë vjet.

Të dhënat tregojnë një ulje të ndjeshme të rasteve dhe vdekjeve nga kjo sëmundje që nga vitet ’80. Në vitet e fundit, tek gratë nën 25 vjeç nuk është regjistruar asnjë rast i ri. Aktualisht, numri i rasteve të reja në Australi është shumë pranë nivelit që konsiderohet eliminim i sëmundjes.

Megjithatë, jo të gjitha grupet përfitojnë njësoj. Gratë indigjene vazhdojnë të kenë norma më të larta të sëmundjes dhe rrezik më të madh për humbje jete, kryesisht për shkak të aksesit më të kufizuar në shërbimet shëndetësore.

Probleme të tjera lidhen me hezitimin ndaj vaksinave pas pandemisë dhe rritjen e kostove në sistemin shëndetësor, të cilat mund të ndikojnë në ritmin e progresit.

Në nivel global, disa vende po ndjekin shembullin e Australisë. Suedia dhe Ruanda kanë vendosur objektiva të ngjashëm, ndërsa Mbretëria e Bashkuar synon eliminimin deri në vitin 2040.

Ekspertët e shohin këtë si një moment të rëndësishëm në mjekësi, pasi për herë të parë ekziston një plan real për zhdukjen e një forme kanceri në nivel global.