Starmer nuk përjashton ndalimin e protestave në Britani pas sulmit antisemit në Londër

Keir Starmer ka deklaruar se mund të merren masa për ndalimin e disa protestave në Londër, sidomos në rastet kur në to përdoren slogane që nxisin dhunë, pas një sulmi të fundit të cilësuar si terrorist.

Sulmi me thikë ndodhi në zonën Golders Green, ku u plagosën dy persona nga komuniteti hebre. Ngjarja ka rritur shqetësimet për sigurinë në vend dhe tensionet mes komuniteteve.

Pas incidentit, qeveria britanike ka shtuar masat e sigurisë, përfshirë fonde shtesë për mbrojtjen dhe rritjen e patrullimeve policore në zonat e ndjeshme.

Starmer ka reaguar ndaj kritikave të banorëve dhe përfaqësuesve të komunitetit hebre, të cilët kanë shprehur shqetësim për protestat pro-palestineze dhe sigurinë e tyre.

Autoritetet britanike kanë rritur gjithashtu nivelin e kërcënimit terrorist në “serioz”, duke paralajmëruar për rrezikun e sulmeve të mundshme në muajt në vijim. Sipas tyre, rreziku vjen si nga ekstremizmi islamist, ashtu edhe nga ai i ekstremit të djathtë.

Policia ka paralajmëruar më herët se përdorimi i disa sloganeve të caktuara në protesta mund të çojë në arrestime, ndërsa diskutimet për kufizime më të forta të tubimeve publike po vijojnë.