Ukrainë-Sllovaki drejt afrimit? Zelensky kërkon marrëdhënie më të forta me Bratislavën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico, ku është diskutuar forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zelensky tha në rrjetin social X se të dy palët janë të interesuara për bashkëpunim më të ngushtë dhe për marrëdhënie të qëndrueshme mes Kievit dhe Bratislavës.

Ai shtoi se është pozitive që Sllovakia mbështet aspiratën e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe është e gatshme të ndajë përvojën e saj në këtë proces.

Gjatë bisedës, presidenti ukrainas e ftoi kryeministrin sllovak për vizitë në Kiev, ndërsa mori edhe një ftesë për të vizituar Bratislavën. Sipas tij, ekipet e të dy vendeve do të punojnë për përcaktimin e datës së takimeve.

Kjo bisedë vjen pas një periudhe tensionesh diplomatike mes dy vendeve, të lidhura me ndërprerjen e tranzitit të naftës ruse përmes tubacionit Druzhba dhe akuzat e ndërsjella për ndikim politik në furnizimet energjetike.

Më herët, furnizimet përmes këtij tubacioni u ndërprenë pas një sulmi rus në infrastrukturë, sipas Ukrainës, ndërsa Sllovakia dhe Hungaria kishin shprehur shqetësime për ndikimin në furnizimet e tyre energjetike.

Pas rifillimit të furnizimeve, u zhbllokua edhe një paketë kredie e Bashkimit Evropian për Ukrainën, e cila kishte mbetur pezull për shkak të vetos së Hungarisë.

Sllovakia ka paralajmëruar se mund të rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj mbështetjes për integrimin evropian të Ukrainës, nëse çështjet energjetike vazhdojnë të ndikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.