“Nuk flemë natën”/ Brejtësit 'pushtojnë' kampet në Gazë, fëmijët kafshohen ndërsa familjet jetojnë mes mbeturinave dhe ujërave të zeza

Në Rripin e Gazës, ku shumë zona janë shkatërruar nga lufta, jeta e përditshme është bërë edhe më e vështirë për familjet e zhvendosura.

Përveç mungesës së strehimit dhe kushteve bazë, ata po përballen edhe me një përhapje të madhe të minjve, nuselalave dhe dëmtuesve të tjerë që rrezikojnë shëndetin.

Punonjësit e ndihmave flasin për një situatë që po kthehet në krizë shëndetësore. Në shumë kampe, ujërat e zeza rrjedhin hapur dhe mbeturinat janë grumbulluar pranë tendave, duke krijuar kushte ideale për shumimin e brejtësve.

Autoriteti izraelit COGAT thotë se po bashkëpunon me organizata ndërkombëtare për çështje të higjienës, por në terren familjet tregojnë se përballja është e përditshme.

Një nënë, Samah al-Daabla, tregon se u zgjua në mes të natës nga britmat e vajzës së saj katërvjeçare, e cila ishte kafshuar nga një nuselalë. Fëmija mori ndihmë mjekësore në spital në qytetin e Gazës dhe tani po rikuperohet, pasi kaloi disa ditë me temperaturë dhe të vjella.

Raste të tilla nuk janë të izoluara. Në rrjete sociale janë shpërndarë pamje ku shihen minj që hyjnë në kampet e të zhvendosurve dhe afrohen pranë foshnjave, të sëmurëve dhe të moshuarve. Ka edhe dëshmi për persona që kanë pësuar dëmtime serioze nga kafshimet.

Sipas të dhënave të cituara nga OKB, brejtësit janë të pranishëm në rreth 80% të zonave ku jetojnë familjet e zhvendosura, duke prekur rreth 1.45 milion njerëz.

Ndërkohë, mungesa e strehimit mbetet problem i madh. Banorët nuk kanë ende karvanët e premtuar që do të shërbenin si strehim i përkohshëm. Shumë prej tyre jetojnë në tenda pranë grumbujve të mbeturinave, ku në mot të ngrohtë përhapja e dëmtuesve rritet edhe më shumë.

Prindërit thonë se nuk flenë natën, nga frika se fëmijët mund të sulmohen. Një banor, Rizq Abu Laila, që jeton pranë një vendgrumbullimi plehrash me katër fëmijët e tij, përshkruan situatën si të padurueshme. Minjtë u dëmtojnë ushqimet dhe rrobat, ndërsa mushkonjat dhe era e rëndë e bëjnë jetën edhe më të vështirë.

Familjet kërkojnë ndihmë urgjente, pasi kushtet aktuale po rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e tyre çdo ditë.