La gjyqin e tij për atë të Veliajt, shtyhet seanca për Plarent Ndrecën

Është shtyrë seanca gjyqësore për ish-ligjvënësin socialist, Plarent Ndreca, i marrë i pandehur për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.

Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e tij në seancë, pasi në të njëjtin orar ishte caktuar dhe seanca në Apelin e Posaçëm, për Erion Veliajn, ku Ndreca është avokat.

Seanca për Ndrecën është caktuar në datën 19 maj, ora 9.00.

Ish-ligjvënësi socialist akuzohet për periudhën 2019 – 2020, kur Ndreca në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, dyshohet se ka përfituar nga tenderi i rikonstruksionit të katër komisariateve në vend.

Ai u kallëzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që pas auditimit të bërë, konstatoi fryrje të kostos reale të prokurimit publik, që përfshinte komisariatin e Mirditës, komisariatin, nr 4 të kryeqytetit, atë të Vlorës e Pogradecit.