"Nuk parashikohet në standardet europiane”/ Blushi: Kafazi i xhamit bie ndesh me prezumimin e pafajësisë

Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, i ftuar ishte Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili u ndal te debati i krijuar mbi vendosjen e të akuzuarve në kafaz xhami gjatë seancave gjyqësore.

Ai e cilësoi këtë praktikë si të pazakontë dhe në kundërshtim me standardet që kanë funksionuar në sistemin e drejtësisë shqiptare dhe atij europian ndër vite.

Sipas tij, raste të ngjashme nuk janë përdorur as në procese të njohura historike.

“Edhe në gjyqet e Nurembergut, ku u gjykua udhëheqja naziste për krime kundër njerëzimit, nuk është përdorur një masë e tillë. E njëjta gjë vlen për procese të tjera të rëndësishme në Shqipëri, ku figura të njohura politike dhe ish-zyrtarë të lartë janë gjykuar pa masa të tilla,” u shpreh ai.

Blushi e lidhi çështjen edhe me parimin e prezumimit të pafajësisë, duke përmendur se çdo i akuzuar duhet të trajtohet sipas standardeve të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ai përmendi se praktika të tilla mund të krijojnë perceptim publik të gabuar dhe të kthehen në një formë ekspozimi të panevojshëm të të akuzuarve.

“Kur vendosen masa që nuk kanë precedent në drejtësinë shqiptare, lind pyetja nëse kemi të bëjmë me nevoja sigurie apo me një ekspozim publik të panevojshëm,” tha ai.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: