Saga e mashtrimeve të Erion Veliajt
Të tjera dyshime të forta mbi vërtetësinë e CV-së publike të Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, veçanërisht mbi datën e përfundimit të studimeve të tij Master janw zhvilluar sw fundmi.
Kjo çështje pason një sërë kontradiktash të mëparshme lidhur me titujt dhe vlerësimet e pretenduara prej tij.
Sipas CV-së zyrtare, Veliaj ka përfunduar një Master në Studime Europiane në Universitetin e Sussex-it në vitin 2003, menjëherë pas përfundimit të studimeve Bachelor në Michigan në 2002.
CV e tij e gjeni në linkun më poshtë:
https://pushtetivendor.reporter.al/erion-veliaj-cv/
Megjithatë, një investigim nga “Ora”, i bazuar në komunikime zyrtare me universitetin britanik, si dhe duke respektuar çdo ligj të Mbretërisë së Bashkuar mbi informacionin publik, na mbërriti një përgjigje zyrtare, por që zbulon një tjetër fakt. Sipas përgjigjes së universitetit, emri i Erion Veliajt figuron në Broshurën e të Diplomuarve të dimrit të vitit 2006, dhe jo tw 2003-it.

Ky ndryshim trevjeçar në datën e diplomimit ngre pyetje të rëndësishme. Në vitin 2006, Erion Veliaj ishte një figurë e njohur dhe politikisht aktive në Shqipëri, si drejtues i lëvizjes “Mjaft!”. Mbetet e paqartë se si mund të ketë përfunduar ai studimet në Mbretërinë e Bashkuar ndërkohë që ishte i angazhuar me kohë të plotë në Tiranë.

Gjithashtu, mbetet e paqartë arsyeja e deklarimit të një date më të hershme diplomimi në CV-në e tij.
Kjo nuk është hera e parë që kredencialet e z. Veliaj vihen në diskutim. Më parë, ai u kritikua gjerësisht për prezantimin e një certifikate mirënjohjeje si një titull të rëndësishëm “Grand Honoris Causa”.
Po ashtu, në shtator 2019, portali verifikues Faktoje.al zbuloi se pretendimi i tij për një çmim nga OKB-ja për Tiranën si një nga 10 qytetet me performancën më të mirë financiare, ishte i pavërtetë, pasi asnjë vlerësim i tillë nuk i ishte dhënë bashkisë gjatë konferencës “Bridge for Cities 4.0” në Vjenë.

Këto episode të përsëritura, nga titujt akademikë te çmimet ndërkombëtare, krijojnë një tablo shqetësuese rreth transparencës dhe integritetit të figurës së tij publike.
Ndërsa debati për diplomat dhe meritat e pretenduara vazhdon, z. Veliaj përballet gjithashtu me 13 akuza të rënda nga SPAK, duke e vendosur të ardhmen e tij politike nën një dritë edhe më të errët.

