KAFAZI I XHAMIT NË GJYQ/ Tafani: Kur ligji nuk është i qartë dhe nuk lexohet në detaje, jepet hapësirë për interpretim
Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, i ftuar ishte analisti Endri Tafani, i cili diskutoi mbi debatin e krijuar për përdorimin e “kafazit të xhamit” në sallat e gjyqit dhe mënyrën si janë miratuar ndryshimet ligjore që lidhen me proceset penale.
Ai u ndal te mënyra se si, sipas tij, ligjet shpesh miratohen pa njohje të plotë nga vetë ligjvënësit, duke sjellë situata që më pas ndikojnë drejtpërdrejt në praktikën gjyqësore.
Në diskutim u përmend se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kanë forcuar rolin e prokurorisë dhe gjykatave në vendosjen e masave të sigurisë, përfshirë edhe ato që lidhen me mënyrën e qëndrimit të të pandehurve në sallë.
“Ka raste kur ligjet kalojnë në parlament pa u kuptuar në thelb nga të gjithë deputetët. Kjo sjell më pas interpretime të ndryshme në praktikë.”-tha Tafani.
Analisti shtoi se kjo situatë krijon hapësirë për vendimmarrje subjektive në sistemin e drejtësisë, duke ndikuar në mënyrën se si zbatohen masat ndaj të pandehurve.
“Kur ligji nuk është i qartë dhe nuk lexohet në detaje, i jepet më shumë hapësirë institucioneve të drejtësisë për interpretim dhe kjo sjell debate si ky që po shohim sot.”-shtoi analisti.
Në pjesën tjetër të diskutimit u ngrit edhe çështja e transparencës në proceset gjyqësore, përfshirë vendimet për zhvillimin e seancave me dyer të mbyllura.
Sipas analizës së tij, debati aktual nuk lidhet vetëm me një rast konkret, por me mënyrën si është ndërtuar dhe funksionon sistemi ligjor në tërësi.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

