Begaj në Dubrovnik: Ballkani Perëndimor nuk është më periferi, por front strategjik i Evropës
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e 11-të të Nismës së Tre Deteve që u zhvillua në Dubrovnik të Kroacisë.
Në fjalën e tij, ai u ndal te roli i Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar atë si një pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të sigurisë dhe zhvillimit evropian, dhe jo më një zonë periferike.
Begaj vlerësoi Nismën e Tre Deteve si një platformë që në një dekadë ka kaluar nga ideja në projekte konkrete, duke sjellë lidhje më të forta mes vendeve, investime dhe bashkëpunim rajonal.
Ai foli edhe për sfidat aktuale në Evropë, si pasiguria ekonomike, energjia dhe zhvillimet teknologjike, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë dhe vizion afatgjatë.
Në lidhje me integrimin evropian, Presidenti u shpreh se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një proces i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e gjithë rajonit.
Duke iu referuar Shqipërisë, ai u ndal te projektet infrastrukturore dhe energjetike, të cilat sipas tij ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve.
Në përfundim, Begaj rikonfirmoi objektivin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

