"S'mund të përsëriten gabimet e 2014-ës"/ Boçi: Reforma territoriale nuk mund të rihapet pa konsensus të plotë politik

Në vijim të dëgjesës publike të zhvilluar në Elbasan, bashkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative Territoriale, Luciano Boçi, reagoi gjatë replikave me qytetarët, duke vënë në pikëpyetje vetë thelbin e rishikimit të reformës së vitit 2014.

Ai ngriti një pyetje thelbësore mbi arsyet e ndërhyrjes në hartën aktuale administrative:

“Nëse reforma e vitit 2014 ka qenë e mirë, atëherë pse po kërkojmë sot rishikim? Nuk mund të përsëriten të njëjtat argumente si atëherë, pa u treguar konkretisht ku qëndron problemi sot.”

Boçi theksoi se një proces i tillë nuk mund të përsëritë gabimet e së kaluarës, duke kujtuar se opozita ka qenë pjesë e komisionit të reformës në vitin 2014, por sipas tij është përjashtuar nga vendimmarrja përfundimtare.

“Sot, nëse secila palë del me hartat e veta pa dakordësi, gjithçka bëhet e kotë. Këtu nuk bëhet fjalë për forcë politike, por për konsensus. Ne duam një reformë për të gjithë shqiptarët,” u shpreh ai.

Replika e Boçit erdhi pas një serie pyetjesh dhe komentesh nga qytetarë të pranishëm në dëgjesë, jo vetëm nga Elbasani, por edhe nga zona të tjera të qarkut si Gramsh dhe Prrenjas, të cilët ngritën shqetësime mbi mungesën e shërbimeve, përfaqësimit dhe investimeve në zonat e tyre.

Diskutimet reflektuan një shqetësim të gjerë mbi efektet e reformës aktuale dhe nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse në hartimin e modelit të ri të qeverisjes vendore.