FOTO-HISTORI/ Pas 45 vitesh, të shtëna me armë në të njëjtin hotel ku u plagos Ronald Reagan në 1981! Krahasimi i dy ngjarjeve
Incidenti me armë zjarri ku po zhvillohej darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ndodhi në hotelin “Washington Hilton” në Connecticut Avenue – i njëjti vend ku Ronald Reagan u qëllua dhe u plagos në vitin 1981, sipas BBC.
Ngjarja ndodhi më 30 mars 1981, kur autori John Hinckley Jr. hapi zjarr ndaj Reagan, ndërsa ai po shkonte drejt limuzinës së tij pas një fjalimi brenda hotelit.
Reagan mbijetoi, por u plagos rëndë nga një plumb që u përplas fillimisht në një pjesë të limuzinës presidenciale dhe më pas e goditi atë në trup, duke i thyer një brinjë dhe duke i shpuar mushkërinë.
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar George Washington dhe u largua prej aty më 11 prill.
Në të njëjtin incident u plagosën edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë James Brady, një agjent i Shërbimit Sekret dhe një polic lokal.
Brady pësoi dëmtime të rënda në tru dhe mbeti i paralizuar për pjesën tjetër të jetës.

Gjithashtu, komplikacionet nga plagët kontribuan në vdekjen e tij në vitin 2014.
Një vit më vonë, Hinckley u shpall i pafajshëm për shkak të çrregullimeve mendore dhe u shtrua në një repart sigurie të lartë në Spitalin St. Elizabeths, ku qëndroi deri në largimin e tij në vitin 2016.
Sot, një pllakë përkujtimore në hotel shënon vendin ku ndodhi atentati.
Çfarë ndodhi sot në 2026?
Sipas raportimeve të fundit, një incident me armë zjarri ndodhi gjatë darkës vjetore të gazetarëve në të njëjtin hotel.
* Një person i armatosur hapi zjarr pranë zonës së kontrollit të sigurisë
* Një agjent i Shërbimit Sekret u godit, por u shpëtua nga jeleku antiplumb
* Presidenti Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë u evakuuan
* Autori u arrestua në vendngjarje
* Nuk pati viktima fatale
Ngjarja ndodhi gjatë darkës së Shoqatës së Korresondentëve të Shtëpisë së Bardhë -një event i rëndësishëm që mbledh politikanë dhe gazetarë çdo vit.
Fakte historike
* Hoteli “Washington Hilton” është një vend historik për sigurinë presidenciale për shkak të atentatit të vitit 1981
* Atentati ndaj Reagan konsiderohet një nga përpjekjet më të famshme për vrasje të një presidenti amerikan në epokën moderne
* Pas këtij incidenti, u përforcuan ndjeshëm protokollet e sigurisë për presidentin në SHBA
* Rasti i Hinckley ndryshoi ligjet për mbrojtjen – duke u shpallur “jo fajtor për shkak të “çrregullimeve mendore” në disa shtete amerikane
* Plagosja e James Brady çoi në miratimin e ligjit për kontrollin e armëve të njohur si Brady Act (1993)
Krahasimi i dy ngjarjeve
Në thelb, fakti që dy incidente të rënda ndodhën në të njëjtin vend – me 45 vite diferencë – e bën këtë rast shumë simbolik për historinë e sigurisë presidenciale në SHBA.
Ngjarja e vitit 1981 dhe incidenti dje në mbrëmje, në të njëjtin hotel në “Washington Hilton” paraqesin dallime të forta si në pasoja, ashtu edhe në reagimin institucional.
Në atentatin e 30 marsit 1981, presidenti Ronald Reagan mbeti i plagosur rëndë, ndërsa gjithsej katër persona u goditën nga të shtënat.
Në kontrast, në incidentin e sotëm nuk raportohet për viktima fatale dhe vetëm një agjent i Shërbimit Sekret u plagos lehtë, falë jelekut antiplumb.
Ndërsa autori i sulmit të vitit 1981, John Hinckley Jr., u shpall i pafajshëm për shkak të gjendjes mendore dhe u trajtua për vite me radhë në një institucion psikiatrik, autori i incidentit të sotëm është arrestuar menjëherë dhe hetimet ndaj tij vijojnë.
Atentati ndaj Reagan shënoi një pikë kthese në politikat e sigurisë dhe çoi në ndryshime të rëndësishme ligjore, përfshirë forcimin e kontrollit të armëve.
Ngjarja e sotme, megjithëse pa pasoja fatale, pritet të rikthejë në qendër të debatit publik çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes së zyrtarëve të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


