“Corriere della Sera”: Samiti i Ankarasë nën hijen e krizës SHBA-Evropë

Përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet më 7–8 korrik në Ankara, po zhvillohen në një klimë të tensionuar për shkak të lëvizjeve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas “Corriere della Sera”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte po punon për të zbutur pasojat e një dokumenti të hartuar nga zyrtari amerikan Elbridge Colby, ku përmendet mundësia e përjashtimit të Spanjës nga aleanca, për shkak të qëndrimit të saj kundër përfshirjes në konfliktin e SHBA-së me Iranin.

Megjithatë, sipas ish-zëvendëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Alessandro Minuto Rizzo, një skenar i tillë nuk është i mundur ligjërisht.

“Traktati i NATO-s nuk parashikon përjashtimin e një shteti anëtar. Aleanca është ndërtuar mbi bazë vullnetare”, theksoi ai.

Sipas tij, masa më e fortë që SHBA-ja mund të ndërmarrë ndaj qeverisë së drejtuar nga Pedro Sánchez do të ishte reduktimi ose mbyllja e bazave ushtarake amerikane në Spanjë.

Por kjo, sipas ekspertëve, do të ishte kundërproduktive për vetë Uashingtonin, duke qenë se këto baza – veçanërisht ajo detare në Rota – kanë rëndësi strategjike të lartë.

Tensionet janë rritur më tej nga konflikti në Lindjen e Mesme, i lidhur me politikat e Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Ndërsa Rutte ka mbështetur qëndrimin amerikan, shumica e vendeve evropiane janë shprehur kundër përfshirjes në këtë konflikt.

Mes liderëve që ndajnë këtë qëndrim janë kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në këtë kontekst, ekziston rreziku që përçarjet transatlantike të dobësojnë edhe pozitën e vetë Rutte-s.

Për të shmangur një dështim të mundshëm të samitit në Ankara, ai po përpiqet ta fokusojë agjendën në çështjet teknike, si bashkëpunimi industrial në mbrojtje dhe rritja e prodhimit të armatimeve.

Ndërkohë, sipas komandantit suprem të forcave të NATO-s në Evropë, Alexus Grynkevich, aleatët duhet të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën dhe të përshpejtojnë integrimin e industrive të mbrojtjes.

Plani i Rutte-s përfshin një samit të shkurtër me një deklaratë përfundimtare të përmbledhur, duke shmangur temat më përçarëse si konflikti me Iranin.

Por vendi pritës, Turqia, ka një qasje tjetër. Presidenti Erdogan synon një samit me profil të lartë politik dhe spektakolar, duke shpresuar të menaxhojë marrëdhëniet me Trump dhe të shmangë përplasjet diplomatike.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kjo mbetet një sfidë e vështirë dhe me rrezik të lartë për të gjitha palët e përfshira.