SHQIPËRIA “DHURATË” PËR PUSHIME! Turistë nga Europa deri në vendet e largëta zbulojnë vendin tonë

Kjo familje nga Franca vizitoi Shqipërinë si një surprizë që kryefamiljari thotë se e shijoi.

“Vizita jonë në Shqipëri ishte një surprizë nga vajza ime. Është një vend jo si gjithë të tjerët dhe i këndshëm.”- u shprehën ata.

Të shumtë ishin francezët mes turistëve që këto ditë pranvere i sollën në vendin tonë.

“Jam franceze. Ma rekomandoi të vija një shoqe që ka qenë më parë këtu. Tani po shëtisim Tiranën dhe më pas Beratin.”

Disa nuk ngurojnë ta cilësojnë një destinacion edhe më interesant se Greqia apo Italia, të njohura për turistët nga e gjithë bota që tërhiqen çdo vit.

“Kemi dëgjuar për Shqipërinë në Francë dhe është një destinacion më interesant se Greqia apo Italia. Na tërhoqi historia, shumëllojshmëria fetare dhe kulturore.”

Theksojnë alternativat e larmishme dhe veçanërisht destinacionet që lidhen me historinë.

“Kemi ardhur nga Marseja dhe na tërhoqi e kaluara ushtarake. Është një vend shumë i bukur, i ngjashëm me Korsikën.”

Për emigrantë nga vende të largëta si Meksika, Shqipëria shihet si një nga vendet e pakta që brenda pak kilometrash ofron si malin, ashtu edhe plazhin.

“Jam nga Meksika. Kam dëgjuar nga miqtë e mi. Tani po nisemi drejt maleve dhe më pas në bregdet.”

Disa thonë se janë nxitur të vizitojnë Shqipërinë nga jehona e zhvillimeve të viteve të fundit, ndërsa të tjerë kanë ardhur me rekomandim të miqve, si një destinacion që duhet parë.

“Jam nga Amsterdami, Holandë. Kemi dëgjuar shumë gjëra për Shqipërinë nga miqtë, ndaj dhe erdhëm.”

Vlerësimet shkojnë nga mikpritja, që e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, deri te klima dhe natyra.

“Jam nga Lituania. I dua shqiptarët, klimën, pemët dhe gjithçka këtu.”

Shqipëria regjistroi rreth 12 milionë turistë vitin e kaluar, ndërsa synimet për këtë vit janë për një rekord të ri. Vendi vijon të promovohet si një prej destinacioneve më tërheqëse për pushime në një kohë të trazuar për vendet e Lindjes së Mesme.