MBI 10 MLN NË FJALORIN E SHQIPES ONLINE/ Kreu i Akademisë së Shkencave triblon polemikat: Projekt i madh

Publikimi i parë online i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe është shoqëruar me polemika, por kreu i Akademisë së Shkencave i ka lënë pas, duke e cilësuar si një projekt të rëndësishëm.

Në një intervistë për “Ora News”, Skënder Gjinushi tha se fjalori ka ngjallur interes të lartë publik, duke arritur mbi 10 milionë klikime online.

Kjo ishte përgjigjja e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, mbi debatin e krijuar rreth Fjalorit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë e projektit.

Ai zbuloi edhe numrin e vizitorëve online që ka marrë fjalori para publikimit.

Enciklopedia Shqiptare dhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe janë dy nisma të përbashkëta mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe studiuesit kosovarë, me përfshirjen e kërkimeve nga të gjitha trevat shqipfolëse, gjë që e theksoi edhe kryetarja e Akademisë së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Po ashtu, pritet që në të ardhmen ky bashkëpunim të vijojë, si në projekte të ngjashme, ashtu edhe në përditësimin e fjalorit.

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përmban rreth 125 mijë njësi leksikografike dhe konsiderohet fjalori më voluminoz i gjuhës shqipe deri më tani.