Bulqizë/ Shkrumbohet makina e parkuar e gazetarit, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Bulqizë, ku automjeti i gazetarit Sami Curri është djegur pasi është përfshirë nga flakët.

Sipas të dhënave paraprake, makina ka qenë e parkuar pranë banesës së tij dhe është konstatuar në zjarr rreth orës 02:45.

Banorët e zonës kanë njoftuar zjarrfikëset, të cilat kanë ndërhyrë për të shuar flakët, por automjeti është shkatërruar pothuajse plotësisht.

Gazetari ka bërë të ditur se është njoftuar nga një banor i pallatit rreth orës 03:00 dhe se makina ndodhej rreth 30 metra larg banesës. Sipas tij, nuk janë dëmtuar automjete të tjera pranë.

Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, por nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënieje të qëllimshme. Vetë gazetari ka shprehur dyshimet se ngjarja mund të lidhet me punën e tij.

Sami Curri punon prej rreth 10 vitesh si gazetar dhe është marrë kryesisht me raportime për prokurime publike, punën e pushtetit vendor dhe drejtësinë në qarkun Dibër.

Ai thotë se nuk ka ndonjë dyshim konkret ndaj personave të caktuar dhe se puna e tij do të vazhdojë normalisht.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në zonë dhe ka ngritur pyetje për sigurinë e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.

NJOFTIMI I POLICISË:

Bulqizë/Informacion paraprak

Rreth orës 02:58, të datës 26.04.2026, shërbimet e Policisë janë njoftuar nga shtetasi S. C., banues në Bulqizë (me profesion gazetar), se automjeti i tij tip “Ford Fiesta” ishte përfshirë nga flakët, ndërkohë që ishte i parkuar pranë banesës së tij.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë, grupi hetimor dhe shërbimi zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve, pasi paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.