Tragjedi në aksin Librazhd-Elbasan/ Motomjeti doli nga rruga, ndërron jetë në vend 45-vjeçari
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës është regjistruar mbrëmjen e 25 prillit 2026, rreth orës 23:20, në aksin “Librazhd–Elbasan”, në fshatin Labinot.
Sipas të dhënave paraprake, një motomjet i drejtuar nga shtetasi A. K., 45 vjeç, ka dalë nga rruga në rrethana ende të paqarta.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në motomjet udhëtonte edhe bashkëshortja e tij, shtetasja F. K., e cila ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik. Hetimet vijojnë për të hedhur më shumë dritë mbi dinamikën e ngjarjes.

