(VIDEO) Astir/ I arratisur nga arresti shtëpiak, 22-vjeçari kapet pas vjedhjeve në 2 banesa
Nga OraNews Përditësimi i fundit 26 Prill 2026, 12:36
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Again”, duke vënë në pranga një 22-vjeçar të dyshuar për vjedhje dhe shkelje të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu është ndaluar në zonën e Astirit pas një ndjekjeje policore, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar motomjetin me të cilin lëvizte.
Nga verifikimet ka rezultuar se ai kishte thyer masën e sigurisë të vendosur më herët për veprën penale “vjedhja”. Gjithashtu, dyshohet se gjatë ditëve të fundit ka hyrë në dy banesa dhe ka marrë shuma parash.
Policia po punon për të parë nëse 22-vjeçari është i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh në zonë. Materialet i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

