FOTO/ KUJDES NGA MASHTRIMI I RRADHËS! Policia e Shtetit paralajmëron për faqet e rreme që njoftojnë gjoba të papaguara
Policia e Shtetit ka njoftuar për një skemë mashtrimi online që po qarkullon së fundmi, ku persona të paidentifikuar kanë krijuar faqe të rreme që duken si faqja zyrtare e policisë.
Këto faqe shpërndahen përmes mesazheve SMS dhe email-eve, duke u paraqitur si njoftime për gjoba të papaguara, kryesisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si tejkalimi i shpejtësisë. Qytetarët drejtohen drejt këtyre linkeve, ku u kërkohet të vendosin të dhënat bankare.
Sipas policisë, këto mesazhe nuk kanë lidhje me institucionet shtetërore dhe synimi i tyre është vjedhja e të dhënave bankare dhe marrja e parave nga llogaritë e qytetarëve.
Autoritetet kërkojnë kujdes maksimal dhe këshillojnë që të mos klikohen linke të dyshimta apo të vendosen të dhëna personale në faqe të pa verifikuara. Çdo gjobë mund të kontrollohet vetëm përmes kanaleve zyrtare, si portali e-Albania.
Në rast se dikush ka dhënë të dhënat bankare në faqe të tilla, duhet të kontaktojë menjëherë bankën për të bllokuar kartën dhe të njoftojë Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, strukturat ligjzbatuese po punojnë për identifikimin e autorëve të kësaj skeme mashtrimi.

