EMRAT/ Bursa fiktive në Tiranë, shkatërrohet rrjeti i mashtrimeve online, 2 në pranga dhe 12 operatorë të kapur në flagrancë
Operacionet ndaj call center-ave nuk kanë të ndalur. Në Tiranë, policia ka bërë të ditur zbulimin e një tjetër ambienti ku, përmes thirrjeve telefonike, shtetasve shqiptarë dhe të huaj u bëheshin oferta për investime në bursa, por gjithçka rezultonte fiktive.
Gjatë kontrollit në rrugën “Sulejman Delvina” janë kapur 12 operatorë, të cilët do të hetohen në gjendje të lirë, ndërsa dy administratorët, Ardest Rrushi dhe Leonard Maksutaj, 44 dhe 46 vjeç, janë ndaluar.
Ndryshe nga ditët e fundit kur dosjet janë paraqitur nga Franca, Austria, Holanda apo Italia, këtë të shtunë u bë e ditur se ndërhyrja është realizuar nga Krimi Ekonomik dhe Financiar në Tiranë.
Megjithatë, në deklaratë nuk bëhet e ditur se sa është shuma që mund të jetë përfituar përmes mashtrimit, apo sa persona mund të kenë rënë pre e tyre në Shqipëri dhe në shtete të tjera.
Sa u përket aksioneve të mëparshme të realizuara nga SPAK, vlerat e dyshuara si përfitim i paligjshëm kanë shkuar nga 2 milionë euro deri në 50 milionë euro.
Nga skemat e përdorura dhe të zbuluara në hetime përmendet kalimi i parave të përfituara në kriptomonedha dhe transferimi i tyre në llogari të tjera, që vështirësojnë gjurmimin e tyre.

