Dy herë në ditë mbushin enët me ujë, si mbijetojnë 50 familje në “Gërmadhë”

 

Mbrëmjen e kësaj të premteje, më 24 prill, në emisionin “Stop”, në Tv Klan u transmetua rasti, ku rreth 40–50 familje jetojnë prej vitesh pa furnizim me ujë të pijshëm dhe pa rrjet kanalizimesh në lagjen “Gërmadhë”, të fshatit Ferraj të Njësisë Administrative Dajt.

Banori Hamit Kodra është i vetmi që ka guxuar të denoncojë situatën, duke treguar se mungesa e rrjetit të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë i detyron banorët të sigurojnë ujin vetë.

“Që kur kam ardhur unë në këtë lagje s’kemi pasur fare ujë. Mbushim ujë me bidona çdo ditë nëpër lagje të Tiranës, Linzë, lart në Dajt, në Shkallën e Tujanit, ku të gjejmë.”

Ai udhëton çdo ditë drejt Linzës, në Shkallën e Tujanit, për të mbushur ujë për familjen, një rrugë që e përshkon disa herë në ditë, sidomos gjatë verës, duke shpenzuar kohë e mund.

Gazetarja e “Stop” u bë pjesë e “ritualit” për ujë bashkë me Hamitin.

Kryetari i Njësisë Administrative Dajt, Alfred Brahja, pranoi se mungesa e ujit dhe kanalizimeve është një problem i hershëm, i pazgjidhur ndër vite, duke përmendur edhe paqëndrueshmërinë në drejtimin e UKT-së si një nga arsyet. Ai theksoi se ka bërë kërkesa zyrtare dhe përpjekje për zgjidhje alternative.

Drejtori i UKT-së, Flauers Shoshi, premtoi se brenda një jave do të nisë hartimi i projektit për zonën dhe më pas investimi konkret për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve.