Telashe për mafien One Albania, aksionet e 4iG në pikiatë; Magyar paralajmëron sekuestrimin e kompanive të lidhura me Orban
Aksionet e kompanisë hungareze 4iG kanë shënuar një rënie të fortë gjatë javëve të fundit, duke humbur mbi 32 për qind të vlerës së tyre në harkun e një muaji. Lëvizja pasqyron reagimin e tregut ndaj ndryshimeve politike dhe rrezikut për hetime të mundshme ndaj kompanisë të lidhur me Viktor Orban.
Kompania 4iG zotëron kompaninë e telefonisë celulare në Shqipëri, One Telecommunications. 4iG e konsideruar si një biznes vasal i kryeministrit të larguar Orban mund të përballet me telashe ligjore.
Sipas të dhënave nga bursa hungareze, çmimi i aksioneve zbriti në 2340 forint në mbylljen e seancës së fundit, nga 3400 forint që ishte një muaj më parë. Rënia ka ndjekur një trajektore të vazhdueshme dhe është përshpejtuar në periudhën kur sondazhet sinjalizonin dobësim të mbështetjes për ish-kryeministrin Viktor Orban.
Pas konfirmimit të ndryshimeve politike, investitorët kanë rritur shitjet, duke shtuar presionin mbi vlerën e aksioneve. Shqetësimi lidhet me mundësinë që 4iG të përfshihet në hetime penale për lidhje të dyshuara me qeverinë e mëparshme.

Rrjeti i kompanive të lidhura me NER
4iG përfshihet në një grup kompanish të mëdha hungareze që konsiderohen pjesë e rrjetit të njohur si NER. Ky rrjet përfshin struktura publike dhe biznese private që kanë funksionuar në lidhje të ngushtë me pushtetin. Në këtë kategori përfshihen edhe kompani të lidhura me biznesmenin Lőrinc Mészáros.
Kryeministri i zgjedhur Magyar ka deklaruar se qeveria e re do të krijojë një strukturë të posaçme për të hetuar dhe konfiskuar pasuritë e këtyre subjekteve. Këto paralajmërime kanë ndikuar drejtpërdrejt në pritshmëritë e tregut dhe në sjelljen e investitorëve.
Si pasojë, aksionet e 4iG kanë vijuar rënien dhe, krahasuar me nivelin maksimal të arritur në fund të vitit të kaluar, vlera e tyre është më shumë se përgjysmuar.
4iG zotëron operatorin celular One Telecommunications në Shqipëri. Aktiviteti i kësaj kompanie është përmendur në disa raste në lidhje me çështje financiare dhe marrëdhënie me politikën, të trajtuara në dosje hetimore nga SPAK.
Deri tani, One nuk është përballur me masa ndëshkuese apo procedura penale. Megjithatë, zhvillimet që prekin kompaninë mëmë në Hungari mund të reflektohen edhe në operacionet e saj në Shqipëri, sidomos në aspektin financiar dhe në perceptimin e tregut.
Një element tjetër lidhet me mundësinë që autoritetet hungareze të verifikojnë burimin e fondeve të përdorura për blerjen e One. Një proces i tillë mund të hapë skenarë të rinj për të ardhmen e kompanisë në tregun shqiptar.
Ecuria e mëtejshme mbetet e lidhur me vendimet që do të marrë qeveria e re dhe me hapat konkretë në drejtim të hetimeve të paralajmëruara. / Pamfleti