Fundi i një epoke? Macron zbulon planet për t’u tërhequr pas mandatit të dytë
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë të ditur se synon të tërhiqet nga politika në vitin 2027, në përfundim të mandatit të tij të dytë.
Gjatë një vizite në Qipro, ai është shprehur se nuk ka qenë pjesë e politikës para presidencës dhe nuk planifikon të vazhdojë aktivitetin politik edhe pas saj, duke lënë të kuptohet se do të largohet nga skena publike.
Macron ka folur edhe për fazën aktuale të mandatit të tij, duke thënë se për të është e rëndësishme të ruajë arritjet e deritanishme, por edhe të pranojë ato fusha ku, sipas tij, rezultatet nuk kanë qenë të plota.
Në Francë tashmë ka nisur diskutimi për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, ku partitë e ndryshme po përgatiten për garën dhe për përzgjedhjen e kandidatëve të tyre.
Disa analistë e shohin këtë deklaratë edhe si pjesë të një lëvizjeje politike për të formësuar mënyrën se si do të mbahet mend mandati i tij dhe për të ndikuar te tranzicioni i pushtetit.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Macron mbetet aktiv në politikën ndërkombëtare, veçanërisht në çështje si lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me SHBA dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, nuk përjashtohet që pas vitit 2027 ai të ketë një rol tjetër në arenën ndërkombëtare, edhe pse vetë aktualisht nuk ka dhënë shenja për një plan të tillë.

