BE jep 90 miliardë euro për Ukrainën/ Zelenskyy i prerë nga Qipro: Nuk pranojmë anëtarësim simbolik në Bashkimin Europian

Bashkimi Evropian ka miratuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, së bashku me një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, në një samit informal që u zhvillua në Qipro.

Në fokus të takimit ka qenë edhe çështja e anëtarësimit të Ukrainës në BE, e cila vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të vetos së Hungarisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka kërkuar që vendi i tij të mos trajtohet me zgjidhje simbolike apo të pjesshme, por të marrë anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

Ai ka bërë të qartë se Ukraina po mbron jo vetëm veten, por edhe Evropën dhe vlerat e saj, ndërsa ka falënderuar vendet që mbështesin përshpejtimin e procesit të integrimit.

Nga ana tjetër, procesi i negociatave për anëtarësim mbetet i ngrirë që nga viti 2024, pasi Hungaria ka bllokuar hapjen e kapitujve të rinj, duke ngadalësuar progresin e Ukrainës drejt BE-së.

Zyrtarët evropianë kanë vlerësuar se vendimi për kredinë dhe sanksionet janë hapa të rëndësishëm për të mbështetur Ukrainën dhe për të rritur presionin ndaj Rusisë në kërkim të një paqeje të qëndrueshme.