Sulm kibernetik në Gjermani/ Zyrtarë të lartë dhe politikanë bien viktimë e “phishing” përmes Signal

Sulm kibernetik në Gjermani/ Zyrtarë të lartë dhe
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se disa zyrtarë të lartë në Gjermani janë bërë shënjestër e sulmeve kibernetike përmes aplikacionit të mesazheve Signal.

Mes tyre përfshihen edhe figura të njohura politike, përfshirë Presidenten e Bundestagut, Julia Klöckner, si dhe persona nga sektori ushtarak, diplomatik dhe mediatik. Sipas Shërbimit Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës, sulmet janë realizuar përmes metodës “phishing”, me qëllim marrjen e aksesit në biseda dhe kontakte personale.

Numri i saktë i personave të prekur nuk është bërë i ditur, por dyshohet se qindra llogari mund të jenë komprometuar. Në disa raste, ekziston frika se janë zbuluar edhe kontakte të ndjeshme të politikanëve të lartë.

Autoritetet gjermane thonë se komunikimet zyrtare të qeverisë nuk janë prekur, pasi përdoren sisteme të veçanta të sigurta. Megjithatë, rasti është konsideruar shqetësues dhe ka ngritur pyetje për sigurinë e komunikimeve digjitale.

Sipas mediave gjermane, sulmet mund të jenë kryer nga grupe të lidhura me shtete të huaja, ndërsa FBI ka raportuar më herët për fushata të ngjashme të lidhura me aktorë të mbështetur nga shërbime inteligjence.

Autoritetet gjermane kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj sulmeve kibernetike që, sipas tyre, janë në rritje.