Macron në Athinë me axhendë të ngjeshur/ Marrëveshje e re mbrojtjeje dhe bashkëpunim i thelluar me Greqinë
Presidenti francez Emmanuel Macron po zhvillon një vizitë dyditore në Athinë, e cila vjen në një moment me rëndësi politike dhe gjeostrategjike për Evropën.
Ai mbërriti në aeroportin “Eleftherios Venizelos” dhe menjëherë u drejtua drejt qendrës së kryeqytetit grek, ku mori pjesë në një diskutim publik me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis në Agoranë Romake.
Tema e bisedës ishte sfidat e Evropës dhe zhvillimet në rendin ndërkombëtar, me fokus në Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe rolin e Bashkimit Evropian.
Në mbrëmje, programi i vizitës vijon me një darkë zyrtare në Pallatin Presidencial, ku marrin pjesë edhe përfaqësues të politikës dhe biznesit.
Pjesa më e rëndësishme e vizitës pritet të jetë takimi i nesërm mes Macron dhe Mitsotakis, ku do të rinovohet marrëveshja strategjike mes Francës dhe Greqisë për pesë vitet e ardhshme. Marrëveshja përfshin edhe një klauzolë për mbrojtje të ndërsjellë.
Në diskutime përfshihen edhe çështje të bashkëpunimit ushtarak, si stërvitjet e përbashkëta në Mesdheun Lindor, forcimi i pranisë franceze në rajon, si dhe zhvillimi i sistemeve të reja të mbrojtjes.
Sipas burimeve, Franca po shqyrton gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, përfshirë përdorimin e avionëve luftarakë dhe praninë detare në Egje dhe Mesdhe.
Vizita shihet si një sinjal për forcimin e marrëdhënieve mes Athinës dhe Parisit dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë në Evropë në një periudhë tensionesh të larta ndërkombëtare.

