Dosja e AKSHI, çfarë ka më tej? Bora: Zyrtarët s’i tremben më SPAK-ut se “garancia” vjen nga lart
Gazetari Andi Bora në studion e emisionit “Drejt” në “Ora Neës” të moderuar nga Luan Rama, teksa foli mbi hetimet e SPAK-ut ndaj grupit kriminal të AKSHI-t deklaroi se në një kohë kur Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vijon goditjet ndaj zyrtarëve të lartë, në administratën publike shqiptare vërehet një fenomen kontradiktor: një tendencë në rritje e veprës penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Ky paradoks, tha ai, tregon për një realitet të dyfishtë, ku nga njëra anë disa zyrtarë hezitojnë të firmosin nga frika e SPAK, por një pjesë e konsiderueshme e administratës duket se vepron me një ndjenjë pandëshkueshmërie.
Sipas tij, kjo mungesë frike nuk është rastësore, por buron nga një “mendësi totale” dhe një “arrogancë e pushtetit” që është kultivuar ndër vite.
Ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në nivelet e larta, por është i përhapur rëndom në të gjithë administratën, nga qendrat kryesore deri në njësitë vendore si Saranda apo Korça.
Si një rast studimor u soll shembulli i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila tha Bora u shndërrua në “grup të strukturuar kriminal”.
Ai theksoi se kjo strukturë ka varësi direkte nga Kryeministria, duke e lidhur problematikën drejtpërdrejt me nivelet më të larta të ekzekutivit. Nisur nga kjo, Bora tha se përgjegjësia nuk është vetëm individuale, por edhe politike.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”

