“Qeveria po bllokon integrimin” – Shehu: Mali i Zi dhe Islanda po avancojnë drejt BE-së, Shqipëria është askund

Seanca parlamentare e ditës së sotme është shoqëruar me debate të ashpra dhe akuza të rënda nga opozita në drejtim të qeverisë. Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, gjatë një interviste direkt nga ambientet e Kuvendit pwr studion e lajmeve në “Ora News” për gazetaren Beti Njuma, ka akuzuar mazhorancën për bllokim të qëllimshëm të procesit të integrimit evropian, korrupsion galopant dhe lidhje me krimin e organizuar.

Sipas deputetit Shehu, ndërsa vende si Mali i Zi dhe Islanda po avancojnë drejt anëtarësimit të plotë në BE, Shqipëria "është jashtë" dhe "askund", pa një datë të qartë për nisjen e proceseve konkrete. Ai e cilësoi qeverinë si "përgjegjëse për gjendjen katastrofale të vendit" dhe për "bllokimin e procesit të integrimit europian". Shehu kritikoi ashpër kryeministrin për mungesën e tij në seancat e interpelancave për të dhënë shpjegime, si dhe për një artikull të përbashkët me presidentin serb Vuçiç, i cili, sipas tij, propozonte një marrëdhënie thjesht ekonomike me BE-në, pa anëtarësim të plotë, një ide e refuzuar nga Brukseli.

Një pikë kulmore e akuzave të tij ishte komenti mbi mesazhin e fundit të ambasadës amerikane në Tiranë, e cila shpërndau vendimin e Departamentit të Shtetit për kufizimin e vizave ndaj anëtarëve të grupit kriminal Sinaloa, duke e etiketuar specifikisht për Shqipërinë. Për Shehun, ky është një "paralajmërim i vazhdueshëm" dhe një mesazh i qartë për lidhjet ekzistuese "midis institucioneve shqiptare dhe atij grupi kriminal". Ai akuzoi qeverinë se në vend që të reflektojë, po thellon gabimet dhe po rreshtohet me ata që godasin SHBA-në, duke e cilësuar këtë si një vullnet të regjimit për të bllokuar integrimin, pasi "autokratët nuk duan të futen në një ambient demokratik me rregulla loje".

Në seancën e sotme u zhvilluan tre interpelanca të kërkuara nga opozita, me ministren e Shëndetësisë, atë të Arsimit dhe ministrin e Mbrojtjes. Duke u ndalur tek interpelanca me ministren e Shëndetësisë, deputeti Shehu theksoi problemet jetike të ngritura, si mungesa e medikamenteve, pajisjeve në shërbimin onkologjik dhe ndërprerja shqetësuese e kryerjes së analizave laboratorike. Ai kritikoi mënyrën se si ministrja zgjodhi t'u përgjigjej kolektivisht tre interpelancave të ndryshme, duke e parë këtë si një shmangie nga përgjegjësia dhe llogaridhënia.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË