INTERPELANCA/ Zhupa: Provimi i licensës së mësuesve, ulje e dinjitetit dhe shembje e sistemit juridik

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në interpelancën e kërkuar me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro e cilësoi udhëzimin për licensimin e mësuesve si ulje të dinjitetit të tyre dhe shembje të sistemit juridik.

Në fjalën e saj, Zhupa tha se “kjo është një interpelancë urgjente sepse bëhet fjalë për dy mijë mësues që janë në sistemin arsimor shqiptar, me shumë probleme që ka arsimi sot. Një ministre e përgjegjshme do të mendonte dhe çfarë mund të bënte për të zgjidhur një nga problemet që ka gjetur në atë dikaster”.

“Këta mendojnë se si mund të shtojnë problemet e hallet e mësuesve me udhëzimet e vetë Ministrisë. Me një udhëzim nr. 12 të datës 24.2.2025 kujtohen dhe thonë që mbasi ke 15 vjet që je mësues dhe mbasi ke dhënë kontribut për sistemin arsimor, pasi ke kaluar fazat nga mësues i kualifikuar në mësues specialist kur ti duhet të marrësh kualifikimin për mësues mjeshtër këta të thonë bëhu dhe njëherë student dhe shko jep provimin e licensës”, nënvizoi Zhupa.

Zhupa sqaroi se “mësuesit që kanë 15 vite në sistem, që kanë mbaruar para sistemit të Bolonjës, i detyrojnë që për të marrë kualifikimin si mësues mjeshtër të futen edhe njëherë në provim license. Me këtë logjikë i bie që edhe nxënësit që qenkan nxënësit e tyre dhe kanë mbaruar shkollën me mësues të palicensuar t’i kthejmë edhe njëherë të bëjnë provimet”.

Sipas saj, këto janë absurditete, të cilat Ministria e Arsimit i bëni me qëllim duke ngatërruar kriteret e punësimit me kriteret e kualifikimit.

“Kriteret e punësimit sot për t’u bërë mësues e kanë të detyrueshme licensën, në kohën kur këta mësues janë punësuar nuk ka qenë e detyrueshme licenca. Kanë marrë një diplomë, e cila e kishte vetvetiu titullin mësues dhe pasi u fut sistemi i Bolonjës nuk kishte më titullin mësues, por kishte mbaruar për mësuesi. Kur janë punësuar nuk ka qenë e nevojshme për ta pasur licensa dhe licensa është kriter punësimi, ndërsa kriter kualifikimi ligji i ka të përcaktuara çfarë përmban dosja dhe si janë kualifikuar nga një stad tek stadi tjetër pa qenë të licensuar”, tha Zhupa.

Zhupa u shpreh se “është njësoj sikur ne këtu që kemi mbaruar shumica shkollat pa maturën shtetërore, se matura është futur shumë vonë, dhe të na thonë kur të kualifikohemi për titullin “Profesor i asociuar” ti s’ke bërë maturën shtetërore kthehu edhe njëherë bëj maturën shtetërore”.

Më tej Zhupa theksoi se “me këtë udhëzim prishni sigurinë e vendit të punës”.

“E drejta e fituar e cila nuk mund të tjetërsohet, siguria juridike e mësuesve dhe nuk janë pak, janë 2 mijë mësues. Imagjinoni që këta 2 mijë mësues kanë stresin të mësojnë të kthehen edhe njëherë gjërave që janë shkëputur që kur ishin studentë do të paguajnë edhe 100 mijë lekë për aplikimin. Sot në rendin e ditës kemi një pikë tjetër që thotë këtë qendrën e shërbimeve arsimore që jep licensimin për mësuesit ta marrë privati. Llogarisni 2 mijë mësues nga 100 mijë lekë janë 200 milionë lekë që i vendos Kumbaro me detyrim për të çuar paratë tek një privat”, tha Zhupa.

NDIQNI INTERPELANCEN E PLOTE