Kumbaro: Provimi i shtetit detyrim që prej vitit 2012, asnjë mësues nuk po hiqet nga puna

Nga Kuvendi, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro në interpelancën e kërkuar nga deputetët e opozitës lidhur me licencimin e mësuesve, sqaroi se ky nuk është një vendim i ri, duke cituar edhe bazën ligjore, referuar ligjit për profesionet e rregulluara të vitit 2011 dhe ligjit për arsimin parauniversitar të vitit 2012.

“Më vjen keq që një grup deputetësh nuk i shoh në sallë, do të thotë nuk janë të interesuar, por paskan firmosur një kërkesë për interpelancë pa qenë fare të interesuar”, tha Kumbaro duke iu referuar deputetëve të opozitës që kishin thirrur interpelancë, por kishin braktisur sallën.

“Në nenet 7 dhe 8 të ligjit “Për Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe që ka hyrë në fuqi në 12 janar të vitit 2011, përcaktohet se personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, citoi ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro saktësoi se është e përcaktuar shumë qartë edhe në ligj, se mësuesit të cilët kanë qenë të punësuar në sistem, para vitit 2011, përpara se ligji për profesionet e rregulluara, të ketë hyrë në fuqi, përjashtohen nga ky detyrim, sepse ligji nuk ka fuqi prapavepruese”.

Gjithashtu, gjatë interpelancës, ministrja Mirela Kumbaro iu referua saktësisht nenit në fuqi për detyrimin e provimit të shtetit.

“Detyrimi për licencimin e mësuesve, ka filluar që me miratimin e ligjit nr. 69/2012. Mësuesi i arsimit fillor, i arsimit të mesëm të ulët dhe i arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i kulturës së përgjithshme në shkollat profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesi me diplomë të ngjashme ose të përafërt me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar ushtron profesionin pasi: të ketë kryer me sukses praktikën profesionale; të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit në fushën e formimit të tij, siç parashikohet në ligjin nr. 10 171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij”, tha Kumbaro.

Më tej, ministrja Kumbaro sqaroi se udhëzimi i muajit shkurt 2025, për të cilin është thirrur interpelanca, nuk bën asgjë tjetër përveçse rimerr referencën ligjore të ligjeve të sipërpërmendura.

“Dhënia e provimit të shtetit nuk është një pengesë, por një garanci, një instrument që vendos barazi për të gjithë ata që hyjnë në profesion, duke siguruar që çdo mësues të përmbushë të njëjtat standarde profesionale, pavarësisht kohës apo mënyrës së hyrjes në sistem. Është e rëndësishme të qartësohet se ky proces nuk synon të krijojë pasiguri apo të penalizojë askënd, por të ndërtojë një sistem më të drejtë dhe më të qëndrueshëm në afatgjatë”, shtoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi se “mbi të gjitha, dua ta them shumë qartë: nuk po hiqet askush nga puna! Por po shoqërojmë me komunikim dhe trajnim edhe ata pak mësues që ende nuk e kanë kryer këtë detyrim ligjor, pa u cenuar aspak sigurinë juridike apo profesionale, që nuk e di se nga e shpikët! Nuk ka asnjë politikë, asnjë vendim dhe asnjë nismë që synon largimin e mësuesve nga vendet e tyre të punës për shkak të këtij procesi”.

Në fund të fjalës së saj, Kumbaro kërkoi që ligjet të kuptohen drejt, si mekanizma që garantojnë drejtësi, transparencë dhe zhvillim profesional të vazhdueshëm.