“S'ke turp”, Boçi përplaset me Peleshin në Kuvend, përjashtohet nga seanca! Opozita braktis Kuvendin. DEBATET

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi është ‘përplasur’ me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, pasi ky i fundit nuk e ka lejuar të marrë fjalën në Kuvend.

Boçi ka reaguar pas fjalës së ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, ku paraqiti projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Menjëherë pasi ajo përfundoi prezantimin, Luçiano Boçi bllokoi për disa minuta foltoren, duke kërkuar të marrë fjalën.

Boçi deklaroi se ekziston një konflikt i hapur interesi, duke theksuar lidhjet institucionale të ministres me një fondacion që, sipas tij, përfshihet në strukturat vendimmarrëse të agjencisë së re.

Ndërkohë që Peleshi ka kërkuar të lirojë foltoren me argumentin se po shkel rregulloren. Pas përplasjes verbale Peleshi e ka përjashtuar deputetin demokrat nga salla.

Pjesë nga debati

Peleshi: Lironi foltoren. Këtu veprojmë sipas rregullores, secili prej jush po të ishte këtu nuk do e jepte fjalën pa asnjë shpjegim. Kam vepruar sipas rregullores, fjala nuk merret me forcë. Ju lutem tani, fjala jepet njëherë se krijohet precedent dhe spekulojnë edhe të tjerët. Lironi foltoren, po shkelni rregulloren. E morët fjalën 10 minuta, u ngritët herët herën e dytë pa referencë në rregullore.

Boçi: Nuk ke turp, do më të tregosh rregulloren.

Peleshi: Merrni masën e dytë disiplinore. Vërejtje. Nëse vazhdoni ta shkelni, ju hiqet e drejta për fjalën. Përjashtoheni nga salla. 5 minuta pushim derisa z. Boçi të lirojë foltoren.

OPOZITA BRAKTIS SEANCEN

Kuvendi u rikthye në seancë pas tensioneve në sallë, ku kryeparlamentari Niko Peleshi përjashtoi deputetin e PD, Luçiano Boçi, teksa ky i fundit refuzoi të dilte.

Ishte deputeti demokrat Belind Këlliçi ai i cili mori fjalën dhe kërkoi që të anulohej masa e përjashtimit për Boçin, pasi në të kundërt opozita do të largohej në shenjë solidariteti duke braktisur seancën.

Ai akuzoi mazhorancën dhe Peleshin se sa herë ka skandale dhe projektligje me rëndësi, ata prishin qëllimisht seancat duke prerë fjalën ndaj deputetëve opozitarë ose duke i penalizuar.

“Zoti kryetar, u bë e disata herë që në këtë sallë Parlamenti gjeni çdo artificë të mundshme gjeni shkak për të prishur seancën sa herë që diskutohet ndonjë projektligj me rëndësi për qytetarët. Kemi që nga ora 10:00 këtu dhe kanë dalë edhe ministrat kanë folur, interpelancat dhe nuk ndodhi asgjë. Kjo që ndodhi me kreun e Komisionit të Arsimit është absurde, zoti Luciano Boçi kërkoi vetëm replikë, ngriti gishtin për të kërkuar fjalën pas fjalës së ministres së Arsimit. Ju doni ta prishni seancën qëllimisht. E kuptoj se keni arsye që të mos lejoni opozitën të flasë, pas këtyre skandaleve, keni gjithë ato skandale sepse këtu u fol për të gjitha, u fol për Ergys Agasin dhe miliona eurot, u fol për ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj të AKSHI-t dhe milionat e saj, u fol për Edi Ramën dhe bankën e tij. Ju doni të prishni seancën me çdo kusht”, tha Këlliçi.

Ai përsëriti se nuk do të qëndronin në sallë nëse Peleshi s’e kthente pas masën e marrë duke reflektuar dhe më tej t’i jepte të drejtën e replikës deputetit Boçi.

“Meqë ju vendosët të mos e ktheni mbrapsht një vendimmarrje të padobishme. Nëse ju do vijoni ne do braktisim sallën nëse nuk hiqni përjashtimin e zotit Boçi, është absurde të përjashtoni nënkryetarin e forcës më të madhe opozitare në vend, t’i hiqni të drejtën e fjalës. Nëse nuk i jepni qoftë të drejtën e replikës zoti Boçi, atëherë unë dhe ne kemi vendosur ta braktisim sallën në shenjë solidariteti”, tha deputeti opozitar.

Peleshi u përgjigj duke sqaruar situatën dhe shkakun e masës, teksa theksoi se deputeti i PD-së kishte përdorur një gjuhë aspak parlamentare dhe ofendime.

“Kemi që në orën 10:00 këtu, kemi marrë fjalën, është respektuar hapësira te opozita, madje opozita ka folur më shumë. Janë trajtuar çështjet dhe akuzat. Ishte një pikë jashtë këtyre temave, diskutohej për Agjencinë Arsimore, unë nuk e kam ndërprerë fjalën asnjë deputeti gjatë seancës, pse duhet t’ia ndërprisja një deputeti për një pikë që nuk është aq e nxehtë. Më besoni, zoti Boçi s’e kërkoi fjalën për replikë, doli aty, nuk u përgjigj, nuk po e përsëris se çfarë tha me gjuhën e vetë jo parlamentare, nuk po e përmend. Ndaj mori edhe masat, e kam atë maturi të mos nxehem, nuk e mora në gjaknxehtësi, por ai e shtoi dozën e shantazheve dhe sulmeve. Edhe nëse kryeparlamentari e ka gabim seanca vijon dhe diskutohet më tej, lirohet foltorja dhe seanca vijon normalisht. Kemi pasur edhe masa të ngjashme të tjera dhe janë respektuar”, tha Peleshi.

Por Këlliçi reagoi përsëri dhe theksoi se:

“Nëse ju nuk reflektoni ne largohemi nga kjo seancë dhe ju vazhdoni diskutimet”.