“NUK DO MBAROJË KËTU”/ Hetime dhe sekuestrime në AKSHI, Ramaj: Kjo është çështja më e madhe e hetuar nga SPAK.

Avokati Redi Ramaj i ftuar në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, teksa foli mbi hetimet e SPAK-ut ndaj grupit kriminal të AKSHI-t deklaroi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kaluar në një nivel të ri hetimor me dosjen e AKSH-it, e cila konsiderohet si një nga çështjet më të mëdha të trajtuara ndonjëherë nga ky institucion.

Në qendër të hetimit është një aferë që dyshohet se ka shpërdoruar qindra miliona euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

Sipas analizës së dosjes nga Ramaj, SPAK nuk është mjaftuar me sipërfaqen, por ka depërtuar në "thellësitë e veprës penale".

Hetuesit kanë zbardhur mekanizmin e kryerjes së veprave penale, kanë identifikuar personat e lidhur dhe kanë zbuluar fakte të konsideruara tronditëse.

Ky nivel i thelluar hetimi, tha ai tregon një qasje të re dhe më këmbëngulëse nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Redi Ramaj: “Në mënyrë të padiskutueshme, ne e kemi trajtuar disa herë, ju e keni trajtuar disa herë që Prokuroria e Posaçme, jo vetëm që është insistuese dhe vazhduese te puna e saj.

Por, ka kaluar tashmë prej vitesh në një nivel tjetër në hetimin në Shqipëri. Dhe rasti i AKSH-it, mendoj, është një nga ato çështjet e mëdha, ose më e madhja e saj, mund të themi, ku shkon drejtpërdrejt në një aferë ose në një çështje ku flitet për shpërdorime qindra miliona euro të taksave të shqiptarëve.

SPAK jo vetëm, ka vazhduar me çështjen, duke e hetuar, ka hyrë në thellësitë e veprës penale, mënyrës se si është kryer vepra penale, personat e lidhur, ka zbuluar, ka nxjerrë fakte që, mendoj unë, janë tronditëse dhe njerëzit e lidhur pastaj, drejtoresha e këtij institucioni, e cila është, mendoj, personazhi i rëndësishëm i jetës publike dhe politike shqiptare, e lidhur në varësi vetëm të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Shqipërisë, e bën atë, mendoj, çështjen më të madhe që ka hetuar SPAK-u.

Kuptohet nga, nga e gjithë veprimtaria që çështja nuk do mbarojë këtu. Hetimi vazhdon. Sekuestrimi i këtyre pasurive që doli si lajm i fundit ishte ajo, mund të themi, qershia mbi tortë, mbas gjithë provave të tjera që kishin, që kishte mbledhur SPAK dhe personave të cilët i ka marrë në hetim.

Dhe mendoj që kjo do vazhdojë dhe më tej, sepse lidhjet, mënyra e shpërdorimit të parave, njerëzit e përfshirë këtu është më e gjerë, mendoj që janë numër më i madh njerëzish sesa vetë personazhet që janë të përfshirë në këtë pjesë.

Kështu që mendoj që kjo do të jetë një kartë beteje e fortë e SPAK-ut dhe për mandatin e drejtuesit të ri tashmë që u zgjodh në dhjetor”.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”