“PRES PËRBALLJEN E SHEKULLIT”/ Berisha: Ramën e pres në Gjykatë ose debat për “Partizanin”
“Përballje të shekullit” e cilëson Sali Berisha ballafaqimin që kërkon me kryeministrin Edi Rama për çështjen Partizani në Gjykatën e Posaçme ku kreu i qeverisë është thirrur si dëshmitar, ose debat televiziv që kryedemokrati e shton si mundësi. Pasi zbatoi masën detyrim paraqitje, lideri i opozitës, iu rikthye akuzave ndaj ish kreut të SPAK dhe gjyqtares Irena Gjoka
Të tillë e konsideron Sali Berisha ballafaqimin mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama në Gjykatën e Posaçme për çështjen “Partizani”, pasi togat e zeza kanë miratuar thirrjen e kreut të qeverisë, në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës.
Ish-kryeministri u shpreh i gatshëm për të qenë edhe përballë Taulant Ballës më 30 prill, ditë kur kreu i grupit parlamentar të PS është thirrur për të dëshmuar në cilësinë e kallëzuesit në SPAK për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, kryedemokrati iu rikthye akuzave ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, duke pretenduar se ka 4 banesa të padeklaruara dhe për këtë e krahasoi me ish-drejtoren e AKSHI-t.
Ndërsa çështja “Partizani” është tashmë në fazën e gjykimit, paralajmëroi edhe kallëzim penal ndaj ish-kreut të Strukturës së Posaçme, duke shënjestruar njëherësh edhe gjyqtaren Irena Gjoka.
Edhe pse ende nuk ka një datë, kryedemokrati tha se protestat e opozitës nuk do të ndalen.
Krahas Sali Berishës në cilësinë e ish-kryeministrit, për çështjen “Partizani”, nën akuzë është dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, sipas SPAK përfitues nga privatizimi i ish-kompleksit sportiv, Fatmir Bektashi, si ndërtues i pallateve aty, një notere dhe dy kompani.
