KONTROLLE RRUGORE ME IA/ Softa: Radarë me paralajmërim 300 m dhe kamera që zbulojnë çdo shkelje në kohë reale

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa në një lidhje direkte për Ora News ka propozuar një model të ri për kontrollin e rrugëve në Shqipëri, i bazuar te radarët, kamerat inteligjente dhe përdorimi i inteligjencës artificiale.

Ideja synon të kalojë nga kontrollet e rastësishme në një sistem të automatizuar dhe të koordinuar në kohë reale.

Sipas tij, në akset kryesore duhet të vendosen radarë që paralajmërojnë drejtuesit e mjeteve 250–300 metra përpara. Kjo, bashkë me sistemin “tutor”, do të ndryshojë mënyrën si monitorohet shpejtësia.

“Radarët vendosen në akse dhe japin paralajmërim 250–300 metra përpara. Por ajo që bën diferencën është sistemi ‘tutor’, që mat shpejtësinë mesatare. Nuk mjafton të ngadalësosh vetëm te radari, sistemi të ndjek në gjithë segmentin.”-tha ai.

Pjesa tjetër e planit lidhet me kamerat inteligjente. Ato nuk do të përdoren vetëm për shpejtësinë, por për kontroll të plotë të mjeteve në qarkullim, përmes softuerëve me inteligjencë artificiale.

“Kamera në vetvete është një pajisje. Vlera është te softueri. Me inteligjencë artificiale mund të identifikohen targa të vjedhura, makina në kërkim, siguracione të skaduara apo mungesë kontrolli teknik.”-shtoi Softa.

 

Sistemi parashikon që çdo shkelje të dërgohet menjëherë në një qendër kontrolli.

Më pas, policia në terren merr informacion të saktë për mjetin dhe vendndodhjen, duke ndërhyrë në pika të caktuara, si hyrje-daljet e autostradave.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: