Retë toksike mbulojnë Elbasanin, banorët: Ndotja nga zona e ish-Kombinatit Metalurgjik
Një situatë e rëndë mjedisore është raportuar paraditen e sotme në Elbasan (20 prill), ku banorët që jetojnë në afërsi të zonës industriale të njohur si ish-Kombinati Metalurgjik kanë ngritur alarmin për ndotje të rëndë të ajrit.
Sipas dëshmive të banorëve dhe pamjeve, në orët e para të ditës janë shfaqur shtëllunga të dendura tymi që kanë pushtuar zonën përreth, të shoqëruara me një aromë të padurueshme që është përhapur në të gjitha drejtimet.
Situata ka krijuar shqetësim të madh, sidomos për familjet me fëmijë dhe të moshuar, të cilët raportojnë vështirësi në frymëmarrje dhe irritim të fortë nga era e rëndë.
Ajo që e bën edhe më alarmante situatën është fakti se ende nuk dihet burimi i saktë i ndotjes.
Dyshimet e para lidhen edhe me aktivitet të pakontrolluar në territorin e ish-kombinatit, një zonë që prej vitesh është kthyer në një pikë problematike për mjedisin dhe sigurinë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të identifikuar shkakun e kësaj ndotjeje dhe për të marrë masa urgjente, përpara se situata të përshkallëzohet më tej.

