HETONI KUSH SHPIFI PËR VIRUSIN! Bashkia Gjirokastrës kallëzon në Polici: Asnjë i prekur me HIV/AIDS

Bashkia e Gjirokastrës ka kërkuar nga policia të hetojë kush përhapi lajmin e pavërtetë për infektimin me Hiv-Aids të kryebashkiakur dhe të 15 punonjësve. Duke e konsideruar tërësisht të pavërtetë shtohet se përhapja në rrjetet sociale është dashakeqe për të dëmtuar qytetin

Lajmi i përhapur përgjatë javës së shkuar se kryetari i bashkisë së gjirokastrës Flamur Golemi dhe 15 punonjës janë me hiv aids tashmë do të hetohet nga drejtësia e qytetit të gurtë. Avokati i institucionit ka paraqitur kallëzimin në polici ku kërkon ndjekjen penale të autorëve të përhapjes së këtij informacioni të rrem.

Ndërkaq në rrjetet sociale tashmë ka nisur debati me reagime dhe kundër reagime. Kjo fletë analize e dhjetorit 2025 të bërë në një spital në Janinë tregon se Golemi ka pasur shqetësime të një sëmundje auto-immune, dhe nuk është i prekur nga HIV/ AIDS.

Vetë bashkia e Gjirokastrës në një reagim për mediet shprehet se pretendimet për infektimin e kryetarit të bashkisë dhe punonjësve janë tërësisht të pavërteta dhe të sajuara pa bazë faktike apo reale

“Bashkia Gjirokastër e konsideron këtë jo thjesht si një akt dezinformimi, por si një veprim të rëndë, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, i cili synon të dëmtojë figurën e institucionit, të cenojë dinjitetin dhe integritetin e punonjësve të administratës vendore, të godasë reputacionin e Kryetarit të Bashkisë dhe, mbi të gjitha, të përhapë panik dhe pasiguri te qytetarët.

Përmbajtje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për informim, por përfaqësojnë një përpjekje dashakeqe për të helmuar klimën publike me të pavërteta dhe për të krijuar shqetësim të pajustifikuar në komunitet”, thekson Bashkia.

Nisur nga përmasat që mori debati në rrjetet sociale Bashkia kërkon hetimin duke theksuar se nuk duhet të trajtohet si një deklarim i zakonshëm në rrjetet sociale, por si një akt me pasoja të drejtpërdrejta për rendin publik, për besimin e qytetarëve dhe për funksionimin normal të jetës institucionale.