Publikimi i të dhënave shëndetësore në Gjirokastër/ Komisioneri paralajmëron masa: Shkelje e rëndë e ligjit dhe cenim i jetës private

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar pas publikimit në media dhe rrjete sociale të një lajmi që përmban të dhëna mbi gjendjen shëndetësore të disa personave në Bashkinë Gjirokastër.

Sipas institucionit, të dhënat shëndetësore janë pjesë e kategorive më të mbrojtura të të dhënave personale dhe trajtimi i tyre lejohet vetëm në raste shumë të kufizuara.

Publikimi i tyre pa bazë ligjore dhe pa një interes të qartë publik konsiderohet i paligjshëm.

Në njoftim thuhet se shpërndarja e informacioneve të tilla, sidomos kur janë të pasakta ose të pakonfirmuara, mund të dëmtojë rëndë jetën private, dinjitetin dhe reputacionin e individëve të përfshirë.

Komisioneri u kërkon mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të tregojnë kujdes më të madh, të verifikojnë informacionin përpara publikimit dhe të shmangin përhapjen e të dhënave sensitive.

Gjithashtu kërkohet heqja e menjëhershme e përmbajtjeve që lidhen me këtë rast.

Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të sjellë masa administrative dhe gjoba, sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.