"Ora News" siguron PAMJET, ja si nisi zjarri në kompleksin e Armando Lilos
"Ora News" ka siguruar pamjet nga momenti kur nisi zjarri në kompleksin "Arlis", në zonën e '5 majit'.
Në video jepet momenti kur kartonat e marketit përfshihen nga flakët ngjitur me pallatin.
Zjarri më pas është përhapur me shpejtësi, pasi flakët arritën fasadën e pallatit
Flakët e zjarrit që ranë të martën pasdite në pallatin 12 katësh, në kompleksin “Arlis” në Tiranë, përpinë thuajse gjysmën e pallatit në të gjithë gjatësinë e tij dhe shkrumbuan 30 banesa.
Policia ka monitoruar kamerat e sigurisë, dhe në momentin që flakët shpërthejnë, pranë kartonëve, që shihen si burimi i parë i zjarrit, nuk ka njeri.
Ngjarja:
Ora shënonte 16:46 kur nga një market në pallatin e kompleksit “Arlis”, ra zjarr. Gjashtë minuta më pas, kur flakët kishin nisur të përhapeshin, në numrin e zjarrfikëses mbërriti një telefonatë.
Pas saj, në kompleksin e ndërtuar vitet e fundit zbarkuan disa mjete me forca zjarrfikëse, të cilave kur flakët dolën jashtë kontrollit, iu shtuan edhe forca të ushtrisë, policisë dhe RENEA-s.
Zjarri u përhap pothuaj në të gjithë pallatin, por në seksionin nga verilindja, përfshiu të gjitha katet, nga i pari te i fundit. Banorët u përfshinë nga paniku, dhe frika për familjarët e tyre. Zjarrfikëset nisën evakuimin e tyre me 3 autoshkallë, për të shmangur çdo rast fatal.
Dhjetëra banorëve iu shpëtua jeta, ndërsa 11 të tjerë përfunduan në urgjencën e QSUT-së, disa me shenja asfiksie, e të tjera me djegie të lehta. Mes tyre edhe zjarrfikës.
Njoftimi i policisë:
Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht se 4 persona janë arrestuar, Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, pas zjarrit që përfshiu pallatin pranë QSUT një ditë më parë, ndërsa hetimi penal ka nisur edhe për pronarin e pallatit.
Sipas bluve të Tiranës, nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja Razie Sula në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
