SHEF POLICIE, “USHTAR” I KRIMIT! SPAK zbardh lidhjet e ish-policit Rezart Kuçi me grupin e Inez Hajrullas (BISEDAT)

Dosja hetimore e SPAK tregon se ish-shefi i krimeve në Vlorë, Rezart Kuçi, ka qenë në shërbim të grupit kriminal Hajrulla me bazë në qytetin bregdetar.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka ndërhyrë në sistemin TIMS për të siguruar të dhëna mbi persona të shënjestruar, si dhe ka asgjësuar prova gjatë kontrolleve të kryera në Vlorë, në ndihmë të grupit kriminal.

Rezart Kuçi, ish-shef i krimeve në Policinë e Vlorës, dyshohet se ka mbështetur grupin kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla, përmes prishjes së provave dhe dekonspirimit të operacioneve policore ndaj tyre, sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas hetimeve, ish-polici ka fshirë foto dhe biseda të gjetura gjatë verifikimeve apo kontrolleve ndaj personave të dyshuar si anëtarë të grupit.

Në një episod të dokumentuar, Rezart Kuçi ka fshirë fotot e një gomoneje nga telefoni i një personi në kërkim, gjatë një operacioni, pasi mjeti lundrues i përkiste një shoku të Ervis Matodashaj.

Më 9 shkurt 2021, ish-polici i ka dërguar foton e gomones Ervis Matodashajt, i njohur si krahu i djathtë i të shumëkërkuarit Inez Hajrulla.

Në komunikim, Kuçi i shkruan: “Aty… i gjeta në telefon… te ai… s’ka lidhje me ju… i jap drejtim unë…”.

Ndërsa Matodashaj i përgjigjet: “Mjetit… është shoku jonë, vëlla…”.

Kuçi vijon: “Ok, po ia heq fotot…”.

Po ashtu, është provuar se ai u jepte informacione për persona të tjerë, siç tregojnë bisedat e zbuluara nga aplikacioni i koduar Sky ECC.

Në një tjetër rast, një person i paidentifikuar i kërkon Kuçit informacion për një shtetas të quajtur Baftjar Azizi, duke përdorur termin “gol 40 mijë euro”. Kuçi angazhohet për ta gjetur, ndërsa në bisedë përmendet edhe termi “çokollata”, që dyshohet se i referohet lëndës narkotike.

Sipas hetimeve, ish-shefi i krimeve ka hyrë në sistemin TIMS dhe i ka dërguar Ervis Matodashajt fotografi personale të shtetasve Bujar Azizi dhe Krenar Azizi.

SPAK ka arritur në përfundimin se Rezart Kuçi, i vlerësuar më parë për rezultate të mira në detyrë, dyshohet të jetë përfshirë edhe në trafikun e drogës, së bashku me anëtarë të grupit kriminal Hajrulla.