SKEMA 50 MLN $ E "BANKERS"/ Në letra rezultojnë me humbje por garantonin miliona, SPAK heton transfertat e fshehta jashtë vendit
Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka zbuluar detaje të reja mbi një skemë të dyshuar të transferimit të fondeve jashtë Shqipërisë, në kuadër të hetimeve për dosjen “Bankers”.
Sipas të dhënave, kompania Bankers Petroleum Albania Ltd, ndonëse në dokumentet financiare rezultonte me humbje, ka dalë garante për hua të mëdha të marra nga kompani të lidhura, duke ngritur dyshime për një mekanizëm të strukturuar të qarkullimit të parave.
Një nga episodet kyçe lidhet me një marrëveshje huaje prej 50 milionë dollarësh, ku përfshihen shoqëria Petraco Oil dhe një entitet në Kanada.
Në këtë skemë, pala kanadeze figuron si huamarrëse, ndërsa Bankers Petroleum Albania rezulton garantore.
Sipas SPAK, në praktikë fondet për shlyerjen e huasë gjenerohen nga aktiviteti në Shqipëri, përmes lidhjeve të ngushta mes kompanive, çka sugjeron se fluksi financiar është i lidhur drejtpërdrejt me operacionet e Bankers në vend.
Hetuesit dyshojnë se kjo strukturë financiare është përdorur për të kanalizuar fonde jashtë vendit përmes huave ndërmjet kompanive të grupit, duke krijuar transaksione formalisht të rregullta, por që në thelb synojnë shmangien e detyrimeve tatimore.
Skema, sipas SPAK, mund të ketë shërbyer për transferimin e parave në mënyrë të maskuar, pa iu nënshtruar kontrollit fiskal shqiptar.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje rreth 10 persona, mes tyre inspektorë të hetimit tatimor, drejtues bankash të nivelit të dytë dhe persona të lidhur me pronarët e kompanisë.
Pavarësisht lehtësimit të masave të sigurisë për disa nga të dyshuarit, burime bëjnë me dije se hetimet vijojnë intensivisht.
Aktualisht, Prokuroria e Posaçme është në pritje të përgjigjeve nga letër-porositë e dërguara në disa shtete, përfshirë Anglinë, Kanadanë, Zvicrën, Austrinë dhe Greqinë, për të gjurmuar lëvizjet e parave dhe për të verifikuar dyshimet mbi ekzistencën e fondeve të padeklaruara apo “fantazmë”.

