Zjarri përfshin tregun e fruta-perimeve në Durrës

Një zjarr ka përfshirë pak minuta më parë tregun e fruta-perimeve në Durrës, duke shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin brenda ambienteve.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se flakët kanë nisur nga djegia e disa kartonëve dhe janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga era e fortë në zonë.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë, duke arritur të vënë nën kontroll flakët dhe të shmangin përhapjen e tyre në hapësirat përreth. Në momentin e rënies së zjarrit, në treg ndodheshin shumë persona, por fatmirësisht nuk raportohen dëme në njerëz.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit.