Rriten vizitorët në strukturat akomoduese, kryeson Italia me 30% të vizitorëve të huaj
Struktura akomoduese në Shqipëri ka vijuar trendin rritës edhe në shkurt 2026, duke reflektuar një zgjerim të kërkesës turistike si nga vizitorët vendas ashtu edhe nga ata të huaj.
Sipas raportit të publikuar sot nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 9,7% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar. Rritja është mbështetur si nga vizitorët rezidentë me 10,6%, ashtu edhe nga vizitorët jo-rezidentë me 9,1%.
Në të njëjtën linjë, edhe netëqëndrimet kanë shënuar rritje, megjithëse me ritëm më të moderuar. Totali i netëqëndrimeve u rrit me 3,6%, ku vizitorët rezidentë kontribuuan me 5,3%, ndërsa vizitorët e huaj me 2,7%.
Sa i përket origjinës së vizitorëve të huaj, tregu mbetet i përqendruar kryesisht në rajonin e afërt dhe tregjet tradicionale europiane.
Italia vijon të kryesojë me 30% të vizitorëve të huaj, e ndjekur nga Kosova me 15%, Mbretëria e Bashkuar me 7%, si dhe Gjermania e Franca me përkatësisht 5% dhe 4%.
Nga ana strukturore, hotelet dhe akomodimet e ngjashme mbeten forma dominuese e qëndrimit, me rritje si për rezidentët ashtu edhe për jo-rezidentët.
Ndërkohë, rritje është shënuar edhe në akomodimet afatshkurtra dhe struktura të tjera alternative, ndonëse në një peshë më të vogël në total.
Rajoni i veriut ka shënuar rritjen më të fortë të vizitorëve jorezidentë.
Zonat pranë bregdetit kanë vijuar të tërheqin pjesë të rëndësishme të vizitorëve, duke konfirmuar rolin e tyre si destinacion kryesor turistik edhe në muajt dimërorë.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele është rritur lehtë në 16,7%, nga 16% një vit më parë, duke sinjalizuar një përdorim më të mirë të kapaciteteve akomoduese, pavarësisht se niveli mbetet ende i moderuar për shkak të sezonalitetit të turizmit.

