FOTOT/ Anëtari i bordit të JET Bank, prestanome i "Ujkut të Sofjes", që zhvati europianët nga një call center në Kosovë

Një hetim i Pamfletit zbulon se Oliver Hemmer, anëtar i bordit të JET Bank, bankës së parë dixhitale në Shqipëri që mori miratim paraprak në dhjetor 2025, ka qenë drejtor menaxhues dhe pronar përfitues i kompanisë që operonte platformën mashtruese 4XFX. Kjo platformë ishte pasardhëse e drejtpërdrejtë e rrjetit kriminal të Gal Barak, shtetasit izraelit të njohur si "Ujku i Sofjes", i dënuar me 4 vite burg në Vjenë për mashtrim me dëme mbi 200 milionë euro. Rrjeti kishte call center edhe në Kosovë, të drejtuara nga shqiptari Betim Tasholli, i cili sot ndodhet në arrati ndërkombëtare.

"Ujku i Sofjes": organizata që mashtroi 35,000 persona

Gal Barak, izraelit i lindur në Herzliya, jetonte në Sofje të Bullgarisë ku drejtonte organizatën kriminale E&G Bulgaria. Nëpërmjet kësaj kompanie, Barak dhe bashkëpunëtorët e tij operonin platforma tregtimi online mashtruese si XTraderFX, OptionStarsGlobal, SafeMarkets, GoldenMarkets dhe Cryptopoint. Modeli ishte i njëjtë: call center-et kontaktonin kryesisht pensionistë europianë, i bindnin të investonin, ndërsa softueri i manipuluar ua merrte paratë. Punonjësit hapnin tregtime humbëse pa autorizim dhe bllokonin tërheqjet.

Në janar 2019, policia austriake dhe gjermane, në bashkëpunim me bullgarët, bastisën 21 kompani dhe 4 shtëpi, duke ngrirë 14 llogari. Barak u arrestua në Bullgari. Më 1 shtator 2020, Gjykata Rajonale e Vjenës e dënoi me 4 vite burg për mashtrim të rëndë tregtar dhe larje parash, duke konfiskuar 2.5 milionë euro. Barak pranoi se investitorët nuk kishin asnjë shans real fitimi. Dëmet totale tejkalojnë 200 milionë euro, me rreth 35,000 viktima në gjithë Europën.

FOTOT/ Anëtari i bordit të JET Bank, prestanome i "Ujkut të
Gal Barak, ''ujku i Sofjes'' majtas

Betim Tasholli: drejtuesi shqiptar i call center-it me 100 punonjës në Kosovë

Rrjeti kishte call center në katër shtete të Ballkanit. Në Kosovë, hallka operative ishte Silkline Group në Prishtinë, e drejtuar nga kosovari Betim Tasholli. Ai drejtonte një call center me deri në 100 punonjës në emër të Veltyco Group PLC, kompani e listuar në Bursën e Londrës. Platformat mashtruese që operoheshin nga Prishtina ishin Option888, ZoomTrader, TradoVest dhe XMarkets.

Tasholli nuk ishte thjesht menaxher; ai ishte aksionar në Lensing Management Ltd në Ishujt Virgjër Britanikë, aksionari kryesor i Veltyco. Ai figuron në Paradise Papers të ICIJ dhe sot ndodhet në arrati, i akuzuar në Gjermani. Pasuria e tij në Kosovë (8 parcela tokësore, 2 shtëpi në Prishtinë) është sekuestruar.

Dënimet në rrjet: Azem Spahiu u dënua me 12 vite burg në Gjermani për mashtrim 32 milionë euro; Mohamad Shaker me 8 vite burg; Uwe Lenhoff vdiq në burg; Marina Barak (bashkëshortja) akuzohet në Austri. Tasholli vazhdon të jetë i arratisur.

FOTOT/ Anëtari i bordit të JET Bank, prestanome i "Ujkut të
Azem Spahiu dhe Betim tasholli

Oliver Hemmer: hallka që lidh rrjetin me JET Bank

Pas mbylljes së platformave të Barak, klientët e mashtruar u ftuan të kalonin në platformën 4XFX. Kompania që e operonte ishte GRF Europe OÜ, e regjistruar në Estoni. Drejtor menaxhues dhe pronar përfitues i saj ishte Oliver Hemmer, shtetas i Lihtenshtajnit. Hemmer funksiononte si prestanome përmes kompanisë së tij CMC Corporate Management Consulting: ai mbante pozicione drejtuese në emër të të tjerëve, duke fshehur pronarët e vërtetë. Kështu ndodhi edhe me 4XFX dhe Rock Intl Ltd në Ishujt Marshall.

4XFX pati jetë të shkurtër, por mori paralajmërime nga gjashtë rregullatorë: FCA britanike, CNMV spanjolle, Finantsinspektsioon estoneze, ASIC australian, Komisioni i Manitobas dhe AMF e Kebekut (Kanada). Investitorë raportuan humbje deri në 54,000 dollarë dhe pamundësi tërheqjeje.

Hemmer figuron gjithashtu në Paradise Papers të ICIJ: ai është aksionar dhe drejtor i kompanive offshore në Maltë (Octagon Industries, E-Commerce International) me adresë në Lihtenshtajn, dhe shfaqet edhe në regjistrin e Barbados-it. Tasholli gjithashtu figuron në të njëjtat dosje.

Pyetjet për institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare

Nuk ka prova që Gal Barak ose Betim Tasholli kanë lidhje të drejtpërdrejta financiare me JET Bank. Lidhja kalon nëpërmjet Oliver Hemmer, i cili tani është anëtar bordi i bankës së parë dixhitale shqiptare. Hemmer ka vepruar si prestanome për struktura mashtruese në të kaluarën. Kjo ngre pyetje serioze për autoritetet përgjegjëse.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të përgjigjet: a ka pasur dijeni për lidhjet e Hemmer me 4XFX dhe pse nuk ka paralajmëruar institucionet e tjera? 

Ministria e Financave duhet të shqyrtojë nëse kuadri ligjor për vlerësimin e administratorëve të bankave është i mjaftueshëm. 

MONEYVAL duhet të vlerësojë nëse Shqipëria po zbaton rekomandimet për parandalimin e pastrimit të parave, duke pasur parasysh këtë rast. 

Prokuroria duhet të kontrollojë nëse ka elemente të veprës penale në mënyrën se si është licencuar kjo bankë. Gjithashtu duhet të hetojë origjinën e fondeve të JET Bank dhe lidhjet me parajsat fiskale. 

Pyetja qendrore mbetet nëse Oliver Hemmer ka qenë prestanome për një mashtrues të dënuar me 4 vite burg dhe për një rrjet me 35,000 viktima, atëherë për kë po vepron ai në bordin e JET Bank? Cilët janë pronarët e vërtetë që fshihen pas tij? Përgjigjet duhet t'i japin institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. /Marrë nga "Pamfleti"