Agim Baçi: Premtimet e thyera të Berishës e lanë opozitën pa alternativë

Opozita shqiptare ndodhet në një udhëkryq, e pllakosur nga një krizë lidershipi dhe mungesa e një alternative të besueshme.

Për analistin Agim Baçi në qendër të këtij stanjacioni qëndron figura e Sali Berishës, i cili pas rikthimit në krye të Partisë Demokratike, nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga premtimet e tij madhore, duke e lënë forcën politike që drejton në "pikën zero".

Në studion e lajmeve në “Ora News”, Baçi theksoi se rikthimi i Berishës u shoqërua me një sërë zotimesh të bujshme, të cilat elektrizuan bazën demokrate.

“Ai premtoi rrëzimin e qeverisë Rama brenda tre muajve, bashkimin e opozitës në një front të përbashkët, heqjen e statusit "non grata", si dhe vendosjen e një standardi të ri llogaridhënieje, ku kushdo që humb zgjedhjet do të largohej pa justifikime. Gjithashtu, zotimet për respektimin e procesit të primareve dhe mbrojtjen e votës nga manipulimi ishin pjesë thelbësore e platformës së tij. Këto ishin pikat mbi të cilat ai u duartrokit, u votua dhe rimori drejtimin e partisë.

Sot, realiteti paraqitet krejtësisht ndryshe. Asnjë nga këto premtime kyçe nuk është materializuar. Qeveria vijon mandatin e saj, opozita mbetet e përçarë, statusi "non grata" është ende në fuqi, dhe procesi i primareve nuk solli fitoren e shpresuar”, u shpreh baçi.

Dështimi, tha ai, për të përmbushur këto zotime ka krijuar një hendek të thellë mes retorikës politike dhe veprimeve konkrete, duke e zhytur Partinë Demokratike në një krizë të thellë besueshmërie.

Sipas tij, pasoja më e rëndë e kësaj situate është rënia e mitit të Berishës si një udhëheqës që e mban fjalën.

“Ai tani po vuan pengun e fjalëve të tij, çka ka bërë që të humbasë besimin e nevojshëm për t'u perceptuar si alternativa qeverisëse. Ndonëse aftësia e tij për të prodhuar politikë nuk vihet në dyshim, mungesa e rezultateve konkrete ka dëmtuar thellë imazhin e tij si lideri që mund të sjellë ndryshimin”, u shpreh Baçi.

Për Agim Baçin opozita shqiptare gjendet e bllokuar në një cikël premtimesh të pambajtura.

Problemi themelor, tha ai, nuk është thjesht mungesa e fitoreve elektorale, por mungesa e një alternative politike që ofron shpresë dhe besueshmëri. “Derisa ky boshllëk të mbushet, stanjacioni politik duket se do të jetë i pashmangshëm”, tha ai.

NDIQNI GJITHÇKA PO NDODH NË TIRANË NË KUADËR TË PROTESTËS SË OPOZITËS