Shqiptarët, pak njohuri për biodiversitetin

Çështjet mjedisore mbeten sfidë në Shqipëri. Gjetjet më të fundit të një sondazhi kombëtar, i mbështetur nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, nxjerrin në pah një hendek mes shqetësimit për mjedisin, njohurive dhe praktikave të përditshme.

Sipas të dhënave, vetëm 24% e qytetarëve thonë se janë të njohur me konceptin e biodiversitetit, që nënkupton tërësinë e llojeve dhe ekosistemeve të globit. Ndërsa 68% shprehin shqetësim për dëmtimin e tij pasi u është shpjeguar.

Kapitulli i 27-të i mjedisit konsiderohet si ndër më të vështirët për Shqipërinë në rrugën e integrimit. Delegacioni i BE-së në Tiranë thekson nevojën urgjente për fushata ndërgjegjësuese për qytetarët, si dhe përmirësimin e infrastrukturës.

“Duhet të dimë bazën ku duhet të fillojmë punën për të qenë sa më kuptimplotë kjo fushatë. Vetëm 5% e qytetarëve i ndajnë mbetjet në shtëpi. Shifër shumë e ulët. Por në të njëjtën kohë 90% janë shprehur të gatshëm t’i ndajnë mbetjet, nëse është infrastruktura e nevojshme”, tha Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.

“Ndotja e ujit perceptohet si çështja më serioze mjedisore (66% e qytetarëve e vlerësojnë serioze), e ndjekur nga ndotja nga plastika (64%) dhe ndotja nga mbetjet dhe plehrat (63%). Ndotja e ajrit gjithashtu shihet gjerësisht shqetësuese (56%), ndërsa ndotja nga zhurma konsiderohet më pak serioze (40%)”, u shpreh Sonila Çela.

Matjet në zonat rurale tregojnë se ka probleme të theksuara me menaxhimin e mbetjeve.

“Rreth gjysma e të anketuarve (49%) deklarojnë se përdorin koshe mbetjesh, ndërsa 26% i depozitojnë mbetjet në landfille ose vende të organizuara. Në mënyrë shqetësuese, praktikat joformale dhe të dëmshme për mjedisin vazhdojnë: 7% djegin mbetjet, 5% përdorin qese dhe i vendosin pranë shtëpisë, dhe 5% i hedhin mbetjet në lumenj ose kanale”, shtoi Çela.

Në tërësi, gjetjet tregojnë një popullsi të gatshme për të vepruar, por që kërkon më shumë informacion, sisteme më të forta dhe shërbime më të mira, në mënyrë që gatishmëria të kthehet në ndryshim real të sjelljes.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në kuadër të projektit EU4GreenGen dhe në bashkëpunim me institucionet partnere, organizon një tryezë të rrumbullakët për prezantimin e gjetjeve të sondazhit kombëtar mbi çështjet mjedisore, mbrojtjen e biodiversitetit, si dhe nisjen e fushatës kombëtare “Mbro natyrën. Më mbro sa je në kohë.”

Sipas sondazhit kombëtar, vetëm 5% e familjeve ndajnë mbetjet, ndërsa 92% do ta bënin këtë nëse do të ekzistonin sisteme të përshtatshme.

Prezantimi ka të bëjë me punën e BE-së në Shqipëri: anketa dhe fushata. Kapitulli 27 është ndër më të vështirët. Biodiversiteti është një nga kërkesat kryesore për integrimin në BE.

Anketa synon të eksplorojë perceptimet, sjelljet dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Fushata do të lançohet në shkolla, me shumë punë për ndërgjegjësimin e nxënësve. Do të ketë mbështetje për shoqërinë civile dhe mediat, për të maksimalizuar impaktin e saj./ Tv Klan