“Sistem pa hapësirë për ekspertizë"/ Bejkollari: Rezultati është i parashikueshëm

Marjola Bejkollari, anëtare e Kryesisë së Diasporës për Shqipërinë e Lirë, në një lidhje direkte për emisionin “Drejt”, foli për mënyrën si trajtohen profesionistët që angazhohen në struktura publike në Shqipëri.

Ajo u ndal te fenomeni i përfshirjes së ekspertëve nga sektorë të mirëorganizuar, të cilët më pas përballen me një sistem që nuk funksionon siç duhet.

Sipas saj, vendosja e një profesionisti në një strukturë të parregulluar nuk sjell ndryshim real, pasi vetë sistemi nuk e mbështet punën e tij.

“Të marrësh një profesionist nga një sistem i rregulluar dhe ta fusësh në një sistem të parregulluar vetëm për fasadë, ai nuk do të jetë i suksesshëm.”-tha ajo.

Bejkollari shpjegoi se në shumë raste, këta individë fillimisht pranojnë rolin pa e kuptuar plotësisht situatën, por më pas përballen me kufizime reale.

Ajo përshkruan dy rrugë që ndjekin zakonisht profesionistët në këto kushte.

“O do të largohet nga sistemi, ose do të ulë zërin e kritikës dhe do të përshtatet.”-shtoi Bejkollari.

Sipas saj, kjo situatë tregon për një problem më të thellë, ku sistemi nuk është i ndërtuar për të përfituar nga ekspertiza, por për ta përdorur atë në mënyrë formale.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: