Samiti i diasporës/ Haçka: Qeveria i përdor për propagandë dhe ul peshën politike të emigrantëve

Në një lidhje direkte për emisionin “Drejt”, përfaqësuesi i “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçka, foli për mënyrën si po trajtohet diaspora dhe roli i saj në zhvillimet politike në vend.

Sipas tij, e drejta e votës për diasporën, e fituar pas një beteje disa vjeçare në Gjykatën Kushtetuese, nuk po përdoret si një mundësi reale për përfaqësim. Ai përshkroi një situatë ku ndërhyrjet politike dhe praktikat e patronazhimit kanë ndikuar në uljen e besimit te shqiptarët jashtë vendit.

“Ne pamë një ndërhyrje të madhe tek vota e diasporës, pikërisht për t’ia ulur njerëzve atë shpresë që angazhimi i tyre ka vlerë.”-tha ai.

Haçka foli edhe për samitet e diasporës, duke i cilësuar si aktivitete ku më shumë flitet nga qeveria sesa dëgjohen përfaqësuesit e shqiptarëve jashtë vendit. Ai solli në vëmendje se shumë pjesëmarrës marrin pjesë me dëshirë dhe shpenzimet e tyre, por në fund përdoren për qëllime që nuk lidhen me përfshirjen reale.

“I flitet diasporës, por nuk flitet me diasporën. Panelet janë të mbushura me zyrtarë që flasin për arritje, ndërsa roli i diasporës mbetet në plan të dytë.”-shtoi Haçka. 

Në vijim, ai përmendi edhe rastin e një pjesëmarrëseje që ngriti zërin në një samit, por që më pas u pa në një takim me një zyrtar të lartë, duke ngritur dyshime për mënyrën si zërat kritikë zbehen.

Haçka u shpreh se pavarësisht këtyre zhvillimeve, angazhimi i shqiptarëve në diasporë po rritet dhe se ata mbeten të vendosur për të pasur një rol më të fortë në jetën politike dhe sociale të vendit.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: