“8 deri në 15 vula për një pallat"/ Qiraxhi: Procesi kalon në shumë hallka, por pa verifikim real
Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”, i ftuar në emisionin “Drejt”, foli për mënyrën si jepen lejet e ndërtimit në Tiranë dhe problemet që lidhen me sigurinë në këtë sektor.
Ai e lidh rritjen e rasteve të zjarreve me ritmin e lartë të ndërtimit dhe mungesën e kontrollit nga institucionet.
Sipas tij, zhvillimi urban nuk po shoqërohet me të njëjtin ritëm nga administrimi i qytetit, duke krijuar një hendek që reflektohet në rrezik për banorët.
“Ndërtimi nuk po ecën me të njëjtin ritëm me qeverisjen e qytetit. Kjo krijon situata ku siguria mbetet pas.”-tha ai.
Qiraxhi solli edhe shifra konkrete, ku në Tiranë ndërtohen rreth 8 mijë apartamente në vit, ndërsa sektori i ndërtimit vijon të ketë viktima çdo vit.
Ai ndalet te procesi i lejeve, që në letër kalon në disa institucione, por në praktikë, sipas tij, nuk shoqërohet me verifikime reale.
“Një objekt kalon nga 8 deri në 15 hallka institucionale. Por këto vula nuk shoqërohen me dokumente apo kontrolle reale.”-shtoi Qiraxhi.
Sipas Qiraxhit, mungesa e investimeve në shërbime bazë, si zjarrfikëset për ndërtesa të larta, e bën situatën edhe më problematike.
Ai shton se rastet e përsëritura të zjarreve tregojnë se nuk po nxirren mësime dhe se sistemi i kontrollit në ndërtim ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

