Skandali i Aflatoksinës: “Ora News” gjunjëzon AKU-në në Gjykatë. Shëndeti i qytetarëve triumfon mbi "sekretet" e kompanive
Një nga skandalet më të rënda që prek drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve ka marrë një kthesë vendimtare në dyet e gjykatës.
“Ora News” ka fituar betejën ligjore ndaj AKU-së, duke detyruar transparencën për një çështje që për muaj të tërë u mbajt në hije.
Gjykata Administrative ka urdhëruar publikimin e emrave të kompanive që tregtuan qumësht të kontaminuar me aflatoksinë – një substancë që sipas OBSH klasifikohet si kancerogjene e grupit të parë.
Alarmi u dha fillimisht nga gazetarja e “Ora News” Alketa Çeku , që denoncoi se qytetarët kishin konsumuar produkte të rrezikshme. Ky informacion u konfirmua më pas edhe nga vetë AKU, e cila pranoi se disa kompani kishin tregtuar qumësht të pasigurt. Megjithatë, institucioni refuzoi të publikonte emrat, duke u fshehur pas arsyetimit të “mbrojtjes së imazhit të bizneseve”.
Ky qëndrim u sfidua fillimisht nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, i cili urdhëroi transparencë, por edhe pas këtij vendimi, AKU zgjodhi të mbrojë fshehtësinë e subjekteve private në vend që të mbrojë qytetarët.
Vetëm pas një beteje ligjore të gjatë, drejtësia vendosi qartë: interesi publik dhe siguria ushqimore janë mbi çdo interes privat.
Argumenti i AKU-së për dëmtimin e imazhit të kompanive u rrëzua si i pabazë në ligj.
Ky vendim përbën një goditje të fortë për një institucion që ka për detyrë të garantojë sigurinë ushqimore, por që në këtë rast u perceptua si mbrojtës i bizneseve në vend të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, është një fitore e rëndësishme për gazetarinë dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
Rasti i aflatoksinës nuk është thjesht një çështje ligjore. Është një provë se kur media këmbëngul dhe drejtësia funksionon, e vërteta nuk mund të fshihet.
